Deri ku shkojnë? Cilët janë dhe ç’kuptim kanë? Si një hapësirë ku vetëdija jonë përplaset në përpjekje për të shpëtuar vetveten, a do të shpëtoni apo jo, varet se çka keni zgjedhur për moto jetike:
të kesh gjykim të drejtë apo të njohësh vetëm frikën nga humbja.
Megjithatë, kufijtë e ndërgjegjes ekzistojnë për ata që kanë zgjedhë pak më shumë se frikën. Të shpresosh se nuk i ke kaluar dhe nuk i ke shkelur është përparësi jetike. Ata janë një luftë e egos madje edhe në jetën e përditshme të njeriut të zakonshëm që në Kosovë tenton të mbijetoj.
Aktualiteti ynë s’ka ndryshuar as kaq vite pas luftës dhe skenat e dhunës nuk po mungojnë. Po nuk deshe fjalime politike, në TV mund të dëgjosh debat të udhëhequr nga një moderator lajmesh, ku mysafirja flet pa u skuqur për çmimin prej 1000 euro të këpucëve të blera. Padyshim se kufijtë janë të ndryshëm te secili dhe i kemi caktuar vetë, pa çka që Kosova është kjo që është dhe standardi jetësor është ky që është…
Edhe në këtë aktualitet dhe kohë, kufijtë e ndërgjegjes sigurisht se ekzistojnë nëse ke zgjedh të dëgjosh me vëmendje dhe të përpiqesh të ndjesh atë që tjetri e përjeton, nëse nuk të ka kapluar narcizmi dhe egoizmi; nëse koha jote ka pak më shumë perceptim dhe e kupton se ka një realitet tjetër që ndoshta në Kosovë kurrë s’është realizuar, të paktën jo deri më tani.
Realitetet kushtëzohen dhe ndërtohen në mendje për të marrë format jashtë, prandaj ata kufij do të ishin shumë domethënës po të ekzistonin në mendjet e udhëheqësve, sepse në raste të tilla do të bëheshin padyshim të dukshëm për realitetin tonë. Por, ashtu si përpëlitet realiteti ynë me kaq shumë kontradikta e diversitete, ashtu është i pakuptim dhe pa ndjenja fjalimi i qeveritarëve që flasin për “dhimbjen e tyre shpirtërore” me shumë tendenca për të paraqitur këta “kufij” para mikrofonit.
Ndoshta ka ende të tillë që shpresojnë në “largpamësinë” e tyre dhe në këndvështrimin e “mirëqenies” që veç ata e shohin. Por, deri tek këta kufij “largpamës” të një realiteti tjetër nganjëherë të duket se edhe po jetove 100 vjet në Kosovën e lirë vështirë se do të kesh arritur… Megjithatë, ia vlen të besosh në kufijtë e ndërgjegjes ashtu si edhe të kësaj kohe e cila një ditë patjetër se duhet të mbaroj.