Telegrafi

Kubis: Rruga më e mirë, negociatat dhe kompromisi

“Rruga më e mirë janë negociatat dhe që zgjidhja të arrihet me kompromis”, ka thënë Kubis, sot në Prishtinë, pas takimit me presidentin e vendit, Fatmir Sejdiu.

Përkundër kësaj, Kubis ka thënë se status quoja nuk është e qëndrueshme edhe pse, Sllovakia “nuk përkrah veprimet e njëanshme, mirëpo zgjidhje gjithsesi duhet të ketë pasi status quoja aktuale nuk është zgjidhje. Vendi ynë është i përkushtuar në këtë proces. Ne preferojmë zgjidhje me anë të negociatave dhe jo veprimet të njëanshme”.

Kubis ka thënë se do të dëshironte që të ketë pajtim të përgjithshëm në Këshillin e Sigurimit për të marrë një vendim për statusin e Kosovës edhe pse vendi i tij, megjithatë, do të jetë në koordinim me politikat e Bashkimit Evropian.

Kubis ka marrë përgjigje nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, se për palën kosovare procesi i bisedimeve është mbyllur dhe nuk do të ketë negociata të tjera dhe që tani priten edhe vendimet e Kuvendit të Kosovës, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.