Lorik Cana vazhdon pushimet dhe ndërkohë po kërkon një skuadër të re. Mbrojtësi 33-vjeçar nuk do të kthehet më te Nantes dhe konfirmimi erdhi nga presidenti i klubit të Ligue 1, Waldemar Kita.
Pas angazhimit me Kombëtaren në finalet e ‘Euro 2016’, Cana ka një muaj që nuk paraqitet në radhët e Nantes, ndërsa shpesh herë mediat franceze raportonin se kuqeziu do të respektonte edhe vitin e mbetur në kontratë, transmeton SuperSport.
Lexoni këtu të gjitha lajmet për TRANSFERIMET
Por, më në fund gjithçka u sqarua nga drejtuesi i klubit. Presidenti Kita deklaroi se “Lorik Cana dëshiron që të luajë në një tjetër kampionat, jashtë Francës, e nuk do të kthehet për sezonin e ri” dhe konfirmoi se “futbollisti shqiptar është në negociata me disa skuadra”.
Kreu i Nantes vlerësoi “sinqeritetin e mbrojtësit në bisedat që kanë zhvilluar” për sa i takon së ardhmes së tij, ndërsa theksoi se “Cana dëshiron të sigurojë një kontratë afatgjate, ndoshta edhe trevjeçare” dhe se “klubi e tifozët e Nantes duhet ta kuptojnë, pasi kjo mund të jetë kontrata e fundit në karrierë për Lorikun”.
Sipas mediave franceze, në ambientet e Nantes po përflitet se në rast se nuk do të gjejë një kontratë të kënaqshme në aspektin financiar dhe një projekt që e bind, nuk përjashtohet edhe mundësia që lideri i Kombëtares shqiptare ti japë lamtumirën futbollit të luajtur.