Festa e fundvitit, për shumicën e njerëzve në planet është nata më e veçantë e vitit që lëmë pas dhe të riut që pason. Shumë prej shteteve të globit i japin rëndësi të veçantë festës së Vitit të Ri, duke nisur nga bredhi e dritat e shumëngjyrshe që zbukurojnë sheshet kryesore të qyteteve e deri tek mbrëmjet speciale që organizohen në gati çdo kryeqytet dhe qytete tjera të botës.
Edhe Prishtina, bashkë me qendrat tjera të Kosovës, janë harmonizuar me qytetet tjera të zhvilluara të botës, që krahas buxhetit kanë investuar në zbukurimet e shesheve dhe rrugëve kryesore të tyre.
Ndërkohë qytetarët janë përcaktuar se si do ta kalojnë natën e ndërrimit të viteve, që në mënyrë tradicionale në Kosovë kalohet deri në ora 12:00 në shtëpi, e më pas në ndonjë organizim jashtë ambienteve familjare.
Disa qytetarë të anketuar nga KosovaPress tregojnë më shumë se ku do ta festojnë këtë festë, ku kishte edhe prej atyre që ishin të vogla me moshë dhe nuk preferonin ndonjë lokal por të rrinin në shtëpi.
Gresa Bahtiu, një qytetare nga Prishtina, thotë se natën e parë do ta kaloi me familje ndërsa të dytën me shoqëri në kryeqytet, ngase Prishtina jep më shumë opsione për ta kaluar një mbrëmje më të mirë festive.
Blendina e Anduena Abdullahu, të reja në moshë, thonë se edhe këtë festë do ta kaloi në shtëpi me familje.
Një tjetër i ri nga Prishtina, Valdrin Rrustemi, pëlqen atmosferën që rezervojnë diskotekat në kryeqytet, dhe ashtu e ka planifikuar festën e Vitit të Ri. Kurse disa që jetojnë jashtë vendit, kishin zgjedhur Kosovës që të festonin këtë festë.
Gjithashtu lokalet nuk i preferojnë të gjithë. Disa familjarë dëshirojnë që të rrinë në shtëpi vetëm me familje dhe jo të dalin në ndonjë lokal./Telegrafi/