Legjenda e Manchester Unitedit, Peter Schmeichel, beson se Louis van Gaal po i shfrytëzon në mënyrë të gabuar dyshen Anthony Martial dhe Wayne Rooney.
Sipas tij, trajneri duhet ta ndryshojë qasjen nëse dëshiron ta dërgojë skuadrën në Ligën e Kampionëve. Martial është golashënuesi më i mirë i Djajve të Kuq këtë sezon, mirëpo shumicën e kohës ai ka luajtur në krah.
“Shpresoj që Martial të fillojë të luajë në pozitën e numrit 9. Do të doja ta shihja ku luajti Marcus Rashford (ndaj Evertonit). Vërtet dua që Martial të jetë numri 9 i Man Unitedit dhe këtë e dinë të gjithë”, ka deklaruar Schmeichel për Sky Sports.
Më tej, ai ka thënë se Rooney duhet të angazhohet në mesin e fushës. “Wayne mund të luajë në pozita të ndryshme”.
“Nëse e pyesni, ai dëshiron të luajë në pozitën e numrit 10, por mua do të më pëlqente ta shihja Waynen duke u zhvilluar si mesfushor, sepse ai mund të luajë ngjashëm si Paul Scholes. Jam i sigurt se ai mund të bëhet një makinë në mesfushë”, ka shtuar ish-portieri danez. /Telegrafi/