Site icon Telegrafi

Ku mbeti ‘Mimoza’ e “Tre Gjermanëve të Trashë”? Flutura Zeneli flet për jetën e re në Francë: Ëndrra ime është të kthehem aty ku kam rrënjët

Dikur ishte një nga figurat që nuk mungonte në ekran thuajse çdo javë. Mirëpo prej vitesh, televizioni e madje as Kosova, nuk janë më komfort-zona e saj.

Aktorja Flutura Zeneli, e cila dikur ishte mjaft aktive në shfaqjet teatrale dhe ato televizive, ka tash e një dekadë që është zhvendosur nga vendlindja e saj. Ajo ka krijuar një jetë të re në Francë, ku tashmë është bërë nënë e një djali – i cili ia ka ndërruar thuajse të gjitha prioritetet jetësore.

Ajo vjen pas një kohe të gjatë mungese në media, në një intervistë për Telegrafin, për të treguar arsyen se pse u largua nga Kosova, jetën e saj të re në Francë dhe planet që ka për të ardhmen.

Flutura Zeneli (Foto: Flutura Zeneli/Instagram)

E njohur si ‘Mimoza’ me emrin e saj të dytë, falë rolit të saj shumë të pëlqyer në hit-serialin e dikurshëm vendor “Tre Gjermanët e Trashë”, Flutura flet edhe për dëshirën që një ditë të kthehet në vendlindjen e saj, për të cilën ka shumë mall.

Telegrafi: Flutura, dikur një aktore shumë e pëlqyer e prodhimeve vendore kinematografike. Na tregoni pak se me çfarë merreni tani?

Flutura Zeneli: Fillimisht faleminderit shumë që keni menduar për mua që ta bëjmë këtë bashkëbisedim që sado pak përmes shkrimit tuaj të jem pranë njerëzve që më duan dhe që i ka marrë malli për mua. Këto ditë vape të ju them të drejtën nuk po bëj ndonjë gjë…me mendje e zemër në Kosovë e në bregdetin shqiptar edhe pse jetoj në bregdetin francez, nuk ma ngrohë shpirtin dhe nuk më bën të lumtur. Përgjithësisht apo merrem me gjëra personale.

Telegrafi: Ka vite që ju jeni larguar nga Kosova dhe u zhvendosët në Francë. Përse kjo zgjedhje?

Flutura Zeneli: Të jem e sinqertë e pata zgjedhur Francën për të jetuar një periudhë dy vjeçare sa për të nderuar ambient dhe sa për ta mësuar gjuhën. Në Prishtinë punët nuk po shkonin edhe aq mirë prandaj kisha nevoje të ikja për një periudhë nga disa njerëz të rrethit tim profesional të cilët me besonin role dhe çuditërisht dëgjoja nga kolegë të tjerë që të njëjtin kishin premtuar madje kishin filluar xhirimet për të njëjtin projekt me aktore tjetër. Për mu ka qenë një goditje mjaft e rëndë që nuk e kam tejkaluar as sot e asaj dite. Nuk më pëlqejnë njerëzit me disa fytyra që janë në gjendje të të godasin pa arsye…tek e fundit nuk është as njerëzore e as profesionale. Mund të them se përveç disa imtësirave të tjera, kjo ka qenë ndoshta arsyeja kryesore pse e kam lënë Kosovën.

Flutura Zeneli (Foto: Flutura Zeneli/Facebok)

Telegrafi: Roli i Mimozës në hit-serialin e dikurshëm vendor “Tre gjermanët e trashë” ka qenë një nga rolet ikonike tuajat. Si e kujtoni atë eksperiencë?

Flutura Zeneli: Po e vërtetë, pas rolit të Qëndresës ne regji të Adem Mikullovcit roli i Mimozës është një rol që e kam për zemër dhe që është pëlqyer shumë nga publiku. Është stili i serialit që është pëlqyer në rend të parë pastaj të gjitha rolet veç e veç janë pëlqyer në publik. Duke iu falënderuar Lirak Qelajt e Florent Boshnjakut ne kemi arritur shikueshmërinë më të lartë të asaj kohe me “Tre Gjermanët e trashë”. Eksperienca e asaj kohe në Kohavision (KTV) por edhe ne RTK më vonë nuk harrohet si profesionalisht ashtu edhe shoqërisht. Me ekipin kemi kaluar shumë mirë në prova, me të qeshura pa fund gjatë provave por edhe gjatë xhirimeve me bisedat tona në bufenë e Teatrit “ODA”. Janë shumë momente të bukura që nuk harrohen asnjëherë.

Telegrafi: A do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës në rast se do të kishte një rikthim të serialit?

Flutura Zeneli: Patjetër që po. Lirak Qelaj dhe Kushtrim Sheremeti më patën kontaktuar kur e vendosën ta rikthejnë serialin ne RTK dhe nuk kam hezituar, kam lënë gjithçka këtu dhe jam kthyer në Prishtinë për prova e xhirime. Me keqardhje e them se seriali nuk zgjati shumë për arsye financiare në Radio Televizionin e Kosovës. Po sikur ta kthejnë prapë si shfaqje apo si serial, unë jam gjithmonë e gatshme të bashkëpunoj me ekipin e tre gjermanëve. Do e bëj me shumë qejf e me shumë përkushtim.

Flutura Zeneli në rolin e ‘Mimozës’ në serialin “Tre Gjermanët e Trashë” (Foto: Flutura Zeneli/Facebok)

Telegrafi: Ju jeni pjesë e kinematografisë dhe teatrit edhe në Francë. Si e shihni dallimin mes kushteve të punës atje dhe këtu?

Flutura Zeneli: Nuk ka shumë dallim nëse flasim për ndërtimin e roleve mes kolegësh, e nëse flasim për kushtet që i ofron teatri kanë mjaft dallim sepse këtu çdo secili e bën punën me përkushtim dhe profesionalizëm deri tek detaji më i vogël dhe këtu nuk po flas për aktorët por për nënpunësit e teatrove. Kushtet e punës janë shumë të kënaqshme këtu, por dashuria dhe kënaqësia mes kolegësh është më e lakmueshme në Kosovë.

Telegrafi: Sa shpesh ktheheni në Kosovë dhe çfarë ju mungon më së shumti kur jeni larg?

Flutura Zeneli: Kthehem mjaft shpesh dhe ndonjëherë nuk kam kohë t’i takoj kolegët sepse ditët kalojnë shpejt dhe mundohem t’i kaloj me familjarët. Pikërisht kolegët dhe shoqëria më mungojnë më së shumti. Ushqimet tradicionale gjithashtu, kolonat në veturë dhe ajri i pastër i Obiliqit edhe më shumë (qesh).

Flutura Zeneli (Foto: Flutura Zeneli/Facebook)

Telegrafi: Jeni martuar dhe keni krijuar familje. Na trego pak si shkon jeta juaj private?

Flutura Zeneli: Jam shumë mirë kështu si jam, më mungon vetëm ngrohtësia e familjes, shoqërisë dhe kolegëve. Faleminderit Zotit jam lumturuar me një bebe dhe nuk kërkoj më mirë. Jam e përmbushur me dashurinë që po ma fal bebi çdo sekondë.

Telegrafi: Një ditë e zakonshme e Fluturës. Si nënë tani më, si është përditshmëria juaj?

Flutura Zeneli: Të ankohem e di se nuk kam të drejtë, por sikur çdo nënë besoj edhe unë po kaloj edhe momente të vështira kur nuk po arrij shembull ta kuptoj beben pse qanë. Po i mësoj mimikat dhe mënyrat e ndryshme të të qarave të bebit. Me timen po mundohem në maksimum ta bëj që të ndjehet mirë dhe i sigurt në këtë botë po sigurisht se e ka vështirë të adaptohet. Sikur çdo fëmijë tjetër që do pak kohë të stabilizohet me të gjitha ndryshimet që i vijnë pas ardhjes në jetë. Përndryshe çdo minutë e jetës time është e përkushtuar për të dhe rreth tij. Tani e kam rolin jetësor rolin më të bukur e më të realizueshmin, rolin e nënës.

Flutura Zeneli gjatë shtatzënisë (Foto: Flutura Zeneli/Facebook)

Telegrafi: Cilat janë planet e tua për të ardhmen?

Flutura Zeneli: Të kthehem aty ku kam rrënjët, me mendje e zemër jam atje por tani duhet të marr vendimin për tu kthyer. Nuk do ia kisha uruar askujt ta kalojë jetën në kurbet. Unë për veten time nuk kam më kohë e as energji të jap për këtë vend. Mjaft gjatë kam jetuar këtu e në fillim kam ardhur për dy vite dhe ja u bënë 12… koha po ecë shumë furishëm.

Telegrafi: Thënia juaj e jetës?

Flutura Zeneli: Thënia e tanishme pasi që jam bekuar me titullin më të bukur NANË – “Beso me forcën e shpirtit”.

Telegrafi: Flutura, faleminderit shumë që ishe pjesë e intervistës. Për fund, cili do të ishte mesazhi yt për lexuesit e Telegrafit?

Flutura Zeneli: Faleminderit nga ju që më keni kontaktuar dhe kërkoj falje nëse isha shumë e shkurtë në përgjigje por koha nuk po më premton të zgjatem shumë këtë herë për shkak të angazhimeve rreth djalit. Lexuesve të Telegrafit një përqafim nga larg me një mesazh të vogël. Çdo ditë mendo se mund të bëhesh njeri më i mirë se dje. Bëni të mira rreth vetës, dhuroni energji të mirë se do ju kthehet me energji edhe më të mirë në të ardhmen. /Telegrafi/

Flutura Zeneli (Foto: Foc Kan/Getty Images)
Exit mobile version