Telegrafi

Ku kanë arritur hetimet për sulmin terrorist të para dy muajve në Banjskë?

Prokuroria Speciale ka kërkuar ndihmë nga vendet e rajonit, por ekspertët thonë se zbardhja mund të ndodhë veç në bashkëpunim me ndërkombëtarët.

Tash që pak ditë na ndajnë nga dy mujori i sulmit terrorist në Banjskë, derisa e sulmuesit dihen, ka pak informacione se çfarë është bërë për nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Tepër pak dritë është hedhur mbi hetimet, së paku publikisht, qoftë nga vendorët apo ndërkombëtarët.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar se do të kërkojë ndihmë nga shtetet e rajonit për hetimet, por përveç nuk dihet për cilat shtete tjera bëhet fjalë.

Por eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi thotë se në radhë do të jetë Maqedonia e Veriut, veçse sipas tij, problematike është narrativa ndërkombëtare që e dënon sulmin, por jo sulmuesit.

“Është kërkuar ndihmë në Bosnjë e Hercegovinë dhe pritet përgjigja. Pastaj pritet edhe në Maqedoni por e keqja është që nuk kemi bashkëpunim në Serbi dhe kjo e komplikon situatën, ndaj EULEX-i duhet të marrë një rol të rëndësishëm këtu”, ka thënë Ibisi për RTV Dukagjinin.

Lexo po ashtu Kosova kërkon ndihmë nga rajoni për hetimet e sulmit në Banjskë

“Përkufizimi vetëm si akt terrorist por pa përgjegjësi, pa ndërmarrje të masave ndaj Serbisë, për këtë veprim, apo në pritje të një verdikti nga gjykata, kjo do të marrë shumë kohë dhe Serbia do të mbetet pa u sanksionuar në vazhdën e mëtejme”, ka shtuar Ibishi.

Nga ana tjetër, për ish-zëvendësministrin e Brendshëm, Selam Shkodra është e çuditshme pse Kosova nuk ka arritur t’i bindë ndërkombëtarët për hetime të përbashkëta.

“Çuditem si institucionet e Kosovës nuk kanë arrit me i bindë institucionet ndërkombëtare që të jenë pjesë e hetimeve… Rasti si rast është mjaft kompleks se mendohet që janë të përfshirë së paku 2 e më shumë shtete dhe të njëjtat deri më tash nuk kanë tregu gatishmëri për bashkëpunim, në rastin konkret Serbia, dhe në këtë rast pa ndihmën e aleatëve tanë, kjo nuk mund të zbardhet asnjëherë”, ka thënë Shkodra.

Përndryshe, nuk dihet as ecuria e hetimeve nga ndërkombëtarët, teksa këta të fundit patën deklaruar se Kosova ka mandat ta hetojë sulmin në Banjskë, ndërsa nga Serbia patën kërkuar që të bashkëpunojë pa kushte, gjë që nuk po bëhet.