Telegrafi

Ku janë shpenzuar mjetet e donatorëve?

 Edon Cana, kryeshef i Agjencisë për Koordinim të Donacioneve, Zhvillim dhe Integrime, thotë se mjetet nga Konferenca e Donatorëve po zbatohen për projekte të ndryshme në tërë territorin e Kosovës.

“Sipas informatave që kemi, mund të them se mbi 70 për qind janë duke u investuar në Kosovë. Në këtë 70 përqindësh përfshihen edhe 200 milionë që janë dhënë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lidhur me pagesën e borxhit të jashtëm, të trashëguar nga ish-Republika e Jugosllavisë”, thotë Cana.

Në Konferencën e Donatorëve vetëm Komisioni Evropian ka dhënë 500 milionë euro, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës 400 milionë dollarë.

Edon Cana thotë se të hollat janë shpenzuar për projektet, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve. “Duke pasur parasysh që Kosova ka dalë nga një luftë e tmerrshme, ne kemi pasur nevojë për të gjithë sektorët. Këto investime kanë qenë në përputhje me prioritetet e qeverisë, do të thotë varësisht prej donatorëve”.

“Zviceranët i kemi më të fokusuar në ujë, gjermanët në energji dhe ambient, Komisionin Evropian në ndërtimin e kapacitetit të institucioneve të Kosovës dhe amerikanët në ndërtimin e sistemit të drejtësisë”, sqaron Cana.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike thonë se efektet e shpenzimeve të këtyre mjeteve, në praktikë vërehen shumë pak.

Dardan Sejdiu, analist për çështje ekonomike, thotë se shpenzimi i të hollave nga Konferenca e Donatorëve nuk ka ndikuar në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit dhe në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve.

Sipas tij, shpenzimi i këtyre mjeteve nuk është bërë në mënyrë transparente nga ana e Qeverisë së Kosovës. “Nuk i kanë bërë gjërat transparente. Konferenca e Donatorëve është për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe jo për qeverinë . Kështu që, efektet e këtyre mjeteve në ekonominë kosovare, nuk i shohim, nuk shohim se kemi bruto-prodhim vendor më të mirë, nuk shohim se kemi zvogëluar deficitin tregtar, nuk shohim se kemi arritur projektet infrastrukturore nacionale, që janë prezantuar në Konferencën e Donatorëve”, shprehet Sejdiu.

Në kuadër të kësaj, përfaqësues të Bankës Botërore dhe të Qeverisë së Kosovës, të premten, kanë nënshkruar një program për zhvillimin e punësimit të qëndrueshëm – program që i mundëson Kosovës të marrë 24.6 milionë dollarë në formë granti, si dhe 6.3 milionë dollarë shtesë si kredi.

Ky program, sipas përfaqësuesve të Bankës Botërore, e ka origjinën në kohën e Konferencës së Donatorëve, në korrik të vitit 2008, atëherë kur qeveria u kërkoi donatorëve që një pjesë e ndihmës së ardhshme të jetë mbështetje për buxhetin në vend. /Rel/Telegrafi/