Nga: Mehmet Elezi
Mimozat kanë qenë pjesë e identitetit të Tiranës.
Kam qenë fëmijë kur ktheheshin për pushime vëllezërit më të rritur, që studionin në Tiranë, dhe na flisnin për mimozat. Vaçja ka pasur një këngë plot gjallëri “Kur çelin mimozat”. Një tjetër “Ku ta gjej mimozën, vallë ku ta gjej…” e fishkëllojmë edhe sot nëpër buzë. Nëpër poezitë e rinisë sonë plot mimoza. Deri në titull romani.
Përveç bukurisë dhe erëmirës, mimozat kanë privilegjin me çelë në kulm të dimrit. E afrojnë pranverën për të gjithë. E ndezin bukurinë e jetës.
Në jug të Francës mimozat janë art dhe pasuri. Të sjella dyqind vjet më parë nga Australia, në fillim rriteshin si shkurre. Tashti trajtohen me aq përkujdesje, sa stina e lulëzimit zgjat tre muaj, janar – mars.
Lulet e mimozave eksportohen deri në Japoni. Dhjetë orë pasi këputen e paketohen, erëmojnë nëpër duart e qytetarëve të Tokios.
Përbindshat e betontë e mbytën Tiranën. Midis tyre, herë mbas here është mbjellë ndonjë pemë. Edhe qershi japoneze, edhe palma shkel e shko që thahen fill. Veç mimoza jo. Ka mbijetuar ndonjë e rrallë te liqeni, dhe ato shpateve, kur ngjitesh në Dajt.
Pse kjo armiqësi me Tiranën e mimozave, pse kjo armiqësi me gëzimin e jetës?