Gjatë Samitit të “Ballkan i Hapur“ në Ohër më 8 Qershor, mbasi i thuri elozhe homologut të tij, Vuçiq, Kryeministri Rama iu referua një bisede me z. Chris Hill, ambasadorin amerikan në Beograd, i pranishëm në Ohër. Thelbi i bisedës së tyre ishte se hedhja e bombës atomike më 1945 nga ShBA në Hiroshima me pasojat e njohura tragjike që nuk pengoi që ShBA-ha dhe Japonia të bëheshin vende mike dhe aleate strategjike. Nënteksti i qartë ishte se kështu mund e duhet të ndodhë dhe me Serbinë.
Po, në parim kjo është e vërtetë. Në rastin e lartpërmendur, dihet se brenda pak viteve, ShBA i shtriu dorën e miqësisë dhe bashkëpunimit, Japonisë; e ndihmoi në të gjitha anët për rimëkëmbjen e saj ekonomike dhe pastaj gjithçka tjetër është histori e njohur. Por, pse të shkojmë aq larg, kur shembuj të tillë ka dhe në Ebropë, duke filluar me modelin më emblematik, Francën dhe Gjermaninë.
Asnjë çift tjetër shtetesh nuk ka një trashëgimi të tillë armiqësore si ajo midis tyre; por dhe që ballafaqimet politike, luftërat, konfliktet dhe fatkeqësitë natyrore i kanë kthyer në paqe, miqësi, bashkëpunim, begati dhe demokraci. Plot 27 luftëra gjakatare kanë zhvilluar në tre shekujt e fundit! Mirëpo, liderët e tyre të mëdhenj, Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle e kuptuan se nuk mund të vazhdohej më kështu, ndaj bënë afrimin dhe pajtimin historik menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Jo me fjalë dhe premtime të bukura, por duke krijuar shpejt e shpejt truallin dhe mjedisin e duhur në të gjitha nivelet. Alsas Lorena dhe Strasburgu, fronti i madh historik i ballafaqimit ushtarak ndërmjet tyre u kthye në “Urën” e parë të madhe të pajtimit dhe miqësisë dhe në plan evropian, ku Këshilli i Evropës vendosi dhe selinë e tij. Miqësia franko-gjermane vijoi pa ndërprerje dhe u kurorëzua më 22 Janar 1963, nga de Gaulle dhe Adenauer, të cilët nënshkruan në Pallatin Elize, Traktatin e famshëm të miqësisë dhe bashkëpunimit me të njëjtin emër. Ky Traktat u ripërtëri më 22 Janar 2019 nga presidenti francez Macron dhe kancelarja Merkel në qytetin e lashtë të Ahenit.
Në vijim, ky pajtimi historik ishte me shumë përfitime të prekshme dhe për vendet e tjera, nëpërmjet projektit të madh të paqes, bashkëpunimit, begatisë dhe demokracisë. Më konkretisht, pas Deklaratës evropianiste të Robert Schumanit më 9 maj 1950, Franca dhe Gjermania krijuan Komunitetin e Qymyrit dhe Çelikut, më vonë atë të Atomit dhe më 25 mars 1957, në Romë nënshkruan Traktatin themeltar të Komunitetit Ekonomik Evropian, i cili më 1992 u kthye në Bashkimi Evropian. Këto dy vende, bashkë me Italinë dhe tri vendet e Beneluksit ndaluan prodhimin e “lëndëve të para” të luftës, duke i vendosur ato nën autoritetin e përbashkët, tashmë për paqe, mbrojtje dhe begati.
Këto dhe të tjera cilësi boshti franko-gjerman i ka shfaqur në vazhdimësi, duke kapërcyer me dialog dhe mirëkuptim edhe jo pak pengesa, probleme dhe dallime ndërmjet tyre në të gjitha fushat. Këto dy vende krijuan një model të përafërt miqësie dhe me Britaninë e Madhe; ndonëse ishin armiq gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Churchilli më 1945 urdhëroi bombardimin e qytetit të Dresdenit, por të cilin e rindërtoi ashtu siç ishte, veç ndjesës publike dhe dëmshpërblimeve për viktimat e shumta.
Le të vazhdojmë me Gjermaninë dhe të kaluarën naziste që shënoi kulmin e genocidit masiv me asgjësimin e gjashtë milionë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por, me krijimin e shtetit të Izraelit, të dyja u bënë vende mike dhe aleate në shumë drejtime. Kjo u bë e mundur falë liderëve gjermanë të pasluftës, të cilët, ndonëse nuk ishin fare fajtorë, madje ishin dhe vetë viktima e të persekutuar nga Hitleri, si Adenauer dhe Brandt, kur merrnin postin më të lartë dhe në vazhdim përsëritnin ndjesën e tyre politike, publike dhe ligjore. Fotoja e ish-kancelarit nobelist Willy Brandt bëri xhiron e botës në dhjetor 1970, kur u ul në gjunjë përpara përmendores së hebrenjve në Varshavë. Muzeu në natyrë i Holokaustit është ngritur enkas në një vend të dukshëm në qendër të Berlinit, me qëllim që kushdo që shkon atje ta vizitojë atë vend madhështor kujtese dhe homazhi!. Ndërkohë, Gjermania deri tani vonë ka vijuar me dëmshpërblimin material dhe financiar të gjithë familjeve të viktimave të nazizmit kudo në botë.
Një model tjetër në përmasa më të vogla, por me të njëjtën domethënie, madje dhe më përkatësor me rastin tonë është ai i Holandës, Belgjikës dhe Luksemburgut. Holanda ishte pushtuese e dy të tjerave gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, në prag të përfundimit të saj, liderët e të tri këtyre vendeve, të ndodhur në azil politik në Londër vendosën t’i lenë mënjanë armiqësitë dhe të krijonin modelin e paqes, bashkëpunimit dhe miqësisë që u pagëzua me emrin Beneluks. Ai vazhdon të shërbejë i vlerësuar si “kopsht dhe laborator eksperimental“ dhe për BE-në dhe rajone të tjera. Meritën kryesore e patën liderët e rinj të të tri vendeve dhe monarkët e tyre që u bashkuan të parët me Gjermaninë, Francën dhe Italinë në Bashkimin Evropian, NATO, Zonën Schengen dhe kudo gjetkë.
Duke u ndalur te Belgjika, krejt ndryshe nga Serbia, ajo ia dha të gjitha të drejtat komunitetit të vogël gjerman me popullsi prej 70 mijë banorësh në kufirin lindor me Gjermaninë; duke e shpallur shtet më vehte, në përbërje të federatës Mbretërore belge, me parlamentin, qeverinë, institucionet e tyre dhe gjermanishten si gjuhë zyrtare.
Gatë kësaj jave, mediat e ndryshme ndërkombëtare po i bëjnë jehonë vizitës gjashtëditore të mbretit të Belgjikës Philippe në Republikën e Kongos. Nën sundimin e Mbretit Leopold II gjatë periudhës 1885-1909 por dhe më vonë atje u vranë e u zhdukën 10 milionë kongolezë, krahas plaçkitjes masive të pasurive të tij deri më 1960 kur Kongo fitoi pavarësinë nga Belgjika. Me këtë rast, mbreti i ri rishprehu publikisht keqardhjen më të madhe për efektet e dëmshme të kolonializmit, shfrytëzimit dhe racizmit, siç pohoi ai gjatë asaj periudhe. Ama ka kohë që Belgjika është donatori më i madh i Kongos, çdo vit ajo disburson 25 milionë euro si ndihma humanitare, veç qindra miliona euro të tjera në fusha të ndryshme; veç pranimit të mijëra kongolezëve në Belgjikë, etj. gjatë katër muajve të fundit, Belgjika i ka kthyer Kongos 84.000 objekte të çmuara, ose 70 për qind të koleksionit të Muzeut Mbretëror Afrikan në Bruksel. Dhe sërish kërkesat janë më të mëdha.
Vlen të theksohet se në të gjitha këto dhe vende të tjera, ky afrim dhe pajtim nuk filloi as me para, e as me nisma ekonomiko-tregtare; por, falë vullnetit politik të të gjitha palëve, dhe në radhë të parë të fajtorëve; këta të fundit njohën moralisht, materialisht dhe financiarisht “gjynahet“ e tyre, me ndjesë publike, duke shprehur keqardhjen dhe duke dëmshpërblyer familjet e viktimave dhe të të dëmtuarve.
Shumë e rëndësishme, ky proces afrimi, pajtimi dhe miqësie u bë shpejt dhe natyrshëm, pa sforcim por dhe pa zvarritje, nga poshtë lart dhe me mbështetje nga lart, veçse pa imponim. Busulla e tyre orientuese dhe filli bashkues ishte integrimi Euro-Atlantik që i bashkoi të gjithë, duke korrigjuar gabimet e të kaluarës dhe mbi këtë bazë duke ecur drejt të ardhmes.
Natyrisht që jo kudo ka patur një miqësi të këtij niveli dhe pa probleme e tensione, por ato janë zgjidhur hap pas hapi, me mirëkuptim dhe frymë bashkëpunimi, pa kurrfarë ndërhyrjeje të jashtme por me vullnet nga “brenda shtëpisë“
I treguam këta shembuj domethënës për të treguar se krejt ndryshe, ose “si nata me ditën“ paraqitet gjendja dhe perspektivat e zbatimit të këtyre modeleve nga ana e Serbisë. Pa hyrë në filozofime boshe, fakt është se ndryshe nga të gjithë shembujt e lartpërmendur, dhe tani, 23 vjet pas mbarimit të konfliktit të armatosur, 14 vjet mbas pavarësimit të Kosovës të njohur nga mbi 100 shtete dhe 11 vjet pas fillimit të dialogut Beograd-Prishtinë me ndërmjetësim të përforcuar ndërkombëtar, Serbia jo vetëm ka një klimë dhe terren të helmuar dhe minuar për afrim dhe pajtim, por ajo ende nuk ka bërë as minimumin; të kërkojë ndjesë për viktimat dhe gj enocidin e ushtruar në Kosovë, madje as nuk i pranon ato. Ca më keq akoma, Beogradi vazhdon të nderojë dhe hyjnizojë gjeneralët dhe komandantët e këtyre krimeve, duke organizuar dhe ceremoni promovimi për librat e tyre me kujtime nga masakrat e përgjakshme që prej tyre konsiderohen heroizëm!
Më tej, ndryshe nga shtetet e lartpërmendura që e njohën menjëherë njeri tjetrin, përpara se të vazhdonin më tej, Serbia nuk po denjon ta bëjë një gjë të tillë me Kosovën, duke e konsideruar si provincë të saj, megjithë trysninë e jashtëzakonshme të ShBA-së dhe BE-së. Veç kësaj, ajo vazhdon fushatën e çnjohjeve dhe mosantarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç ndodhi së fundmi me kërkesën e saj për antarësim në KiE dhe gjetkë.
Pastaj, nuk do harruar se në Serbi vazhdojnë të jenë në krye të shtetit dhe qeverisë ish ministra të Millosheviqit, çka nuk ka ndodhur në vendet e tjera.
Po ashtu, ndryshe nga shtetet e lartpërmendura që përcaktuan qartë dhe pa ekuivok aleancat e tyre gjeopolitike, nga viti 2008 ajo mban në fuqi katër shtyllat e politikës së saj të jashtme të përcaktuara nga ish presidenti Tadiq – BE, SHBA, Rusinë dhe Kinën. Gjithsesi, kjo është gjysma e të keqes, mbasi këto vitet e fundit, Vuçiqi po qëndron shumë më tepër në këto dy “ndenjëset“ e fundit. Gjithashtu, Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk zbaton sanksionet ndaj Rusisë, edhe pse atë e detyron Marrëveshja me BE, çka është bërë problem ulëritës ndërkombëtar!
Për pasojë, “Ballkani i Hapur“, sido që të jetë natyra e tij, nuk ka shans ta “sjellë në binarë Beogradin“, siç nuk e kanë sjellë dot as rreth 20 nisma të tjera të mëparshme rajonale dhe ndërkombëtare deri te Procesi i Berlinit; sepse atje mungon fryma demokratike dhe vullneti politik për afrim, pajtim dhe integrim Evropian. Kjo nismë i shërben kryesisht si “grim“ politik për të “pudrosur“ fatkeqësisht dhe me ndihmën e Tiranës imazhin e saj, me qëllim që të “nxjerrë jashtë loje dhe zbuluar“ Prishtinën. Ndaj, me shumë të drejtë, Kryeministri Kurti pohoi këto ditë se përpara se të hapë Ballkanin, Serbia duhet të hapet ndaj Kosovës.
Si përfundim, nuk mjafton të sjellim apo t‘u referohemi shembujve dhe modeleve historike të dobishme, me iluzionin se Serbia do të ecë në këtë rrugë e ca më pak të bëhet “flamurtare nismash“. Ja pse, në vend të propagandës, ecejakeve dhe marketingut politik fals, është momenti që të gjithë aktorët dhe faktorët madhorë politikë ndërkombëtarë t’ia thonë troç Beogradit: “Enough is enough“ ose shqip “Boll më kështu“! Tani duhet të vendosësh midis dy korsive, rrugë të tretë nuk ka më! Ndryshe, pyetja “Ku Japonia dhe Gjermania e ku Serbia“ do të mbetet aktuale.