Votuesit amerikanë do të përballen me një zgjedhje të qartë për president në ditën e zgjedhjeve.
Demokratja Kamala Harris dhe republikani, Donald Trump do të përpiqen deri në minutën e fundit të datës 5 nëntor t’i bindin votuesit se e meritojnë njëri prej tyre të jetë president i SHBA-së.
Këtu është një vështrim mbi qëndrimet e tyre dhe si krahasohen politikat e tyre për çështje të ndryshme.
Inflacioni
Harris ka deklaruar se përparësi do t’i jep qysh në ditën e parë përpjekjeve për të ulur kostot e ushqimit dhe banimit për familjet amerikane.
Ajo premton të ndalojë abuzimin me çmimet e ushqimeve, të ndihmojë blerësit e shtëpive për herë të parë dhe të ofrojë stimuj për të rritur furnizimin me banesa, shkruan bbc.
Inflacioni u rrit nën presidencën e Joe Bidenit, ashtu si në shumë vende perëndimore, pjesërisht për shkak të problemeve të furnizimit pas COVID-19 dhe luftës në Ukrainë. Megjithatë, ai ka rënë që prej asaj kohe.
Trumpi ka premtuar të “ndalojë inflacionin dhe ta bëjë sërish të përballueshme Amerikën”.
Ai do të ofrojë norma më të ulëta interesi, gjë që presidenti nuk e kontrollon, dhe thotë se dëbimi i emigrantëve pa dokumente do të ulë presionin mbi strehimin.
Ekspertët e ekonomisë paralajmërojnë se premtimi 78-vjeçarit për të vendosur taksa më të larta mbi importet mund të rrisë çmimet.
Tatimet
Harris dëshiron të rrit taksat për bizneset e mëdha dhe amerikanët që fitojnë 400 mijë dollarë (370 mijë euro) në vit.
Megjithatë, ajo ka prezantuar edhe një sërë masash që do të lehtësojnë barrën fiskale për familjet, duke përfshirë zgjerimin e kredive tatimore për fëmijët.
Ajo ka dalë kundër Bidenit për tatimin mbi fitimet kapitale, duke mbështetur një rritje më të moderuar nga 23.6 në 28 për qind, krahasuar me propozimin e presidentit prej 44.6 për qind.
Trump propozon një sërë uljesh tatimore me vlerë triliona dollarë, duke përfshirë një zgjatje të uljeve të vitit 2017, që kryesisht ndihmuan të pasurit, transmeton Telegrafi.
Ai thotë se do t’i financojë këto ulje përmes rritjes ekonomike dhe tarifave mbi importet. Analistët thonë se të dyja planet tatimore do të rritin deficitin në zgjerim, por më shumë propozimi i Trumpit.
Aborti
Të drejtat për abort, Harris i ka vendosur në qendër të fushatës dhe vazhdon të mbështesë legjislacionin që do të siguronte të drejtat riprodhuese në të gjithë vendin.
Trump ka pasur vështirësi në gjetjen e një mesazhi të qëndrueshëm për çështjen e abortit.
Tre gjyqtarët që ai emëroi në Gjykatën e Lartë gjatë kohës si president ishin vendimtarë në rrëzimin e të drejtës kushtetuese për abort, një vendim i vitit 1973 i njohur si Roe kundër Wade.
Imigracioni
Harris ishte ngarkuar me trajtimin e shkaqeve themelore të krizës në kufirin jugor dhe ndihmoi në mbledhjen e miliarda dollarëve nga sektori privat për të bërë investime rajonale me qëllim të ndalimit të fluksit drejt veriut.
Një numër rekord njerëzish kaluan nga Meksika në fund të vitit 2023, por numrat kanë rënë që prej vitit të kaluar.
Në këtë fushatë, ajo ka ashpërsuar qëndrimin dhe ka theksuar përvojën si prokurore në Kaliforni duke luftuar trafikantët e qenieve njerëzore.
Trump ka premtuar të mbyllë kufirin duke përfunduar ndërtimin e murit dhe duke shtuar forcat e zbatimit të ligjit.
Por, ai u ka bërë thirrje republikanëve që të heqin dorë nga një projektligj për imigracionin, të ashpër por të përbashkët me të dyja palët, që mbështetej nga Harris.
Ai gjithashtu ka premtuar dëbimin më të madh masiv të emigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA-ve. Ekspertët kanë thënë se kjo do të përballet me sfida ligjore.
Politika e jashtme
Harris ka premtuar të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme.” Ajo është zotuar, nëse zgjidhet, të sigurojë që SHBA dhe jo Kina të fitojë “garën për shekullin e XXI-të”.
Ajo ka qenë prej kohësh një mbështetëse e një zgjidhjeje me dy shtete midis izraelitëve dhe palestinezëve dhe ka kërkuar t’i jepet fund luftës në Rripin e Gazës.
Trump ndjek një politikë të jashtme izoluese dhe dëshiron që SHBA të tërhiqet nga konfliktet.
Ai ka thënë se do t’i japë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve përmes një marrëveshjeje të negociuar me Rusinë, një lëvizje që demokratët thonë se do të inkurajonte presidentin rus, Vladimir Putin.
Trump është pozicionuar si një mbështetës i fortë i Izraelit, por ka thënë pak për mënyrën se si do t’i japë fund luftës në Gaza.
Tregtia
Harris ka kritikuar planin gjithëpërfshirës të Trumpit për të vendosur tarifa mbi importet, duke e quajtur atë një taksë kombëtare për familjet punëtore, që do t’u kushtojë çdo familjeje 4000 dollarë në vit.
Ajo pritet të ketë një qasje të njëjtë ndaj importit, duke ruajtur tarifat e taksimit që administrata Biden-Harris ka vendosur mbi disa importe kineze, si automjetet elektrike.
Trumpi i ka bërë tarifat një premtim qendror të kësaj fushate.
Ai ka propozuar tarifa të reja prej 10-20 për qind mbi shumicën e mallrave të huaja dhe tarifa shumë më të larta për ato nga Kina.
Ai gjithashtu ka premtuar të tërheqë kompanitë për të qëndruar në SHBA për të prodhuar mallra, duke u ofruar atyre një normë më të ulët të tatimit mbi korporatat.
Klima
Harris, si zëvendëspresidente, ndihmoi në miratimin e Aktit për Reduktimin e Inflacionit, i cili ka kanalizuar qindra miliarda dollarë për energji të rinovueshme dhe programe për kredi dhe ulje tatimore për automjetet elektrike.
Megjithatë, ajo ka hequr dorë nga kundërshtimi i saj ndaj shpimit hidraulik (fracking), një teknikë për nxjerrjen e gazit dhe naftës, e kundërshtuar nga ambientalistët.
Trump, gjatë kohës në Shtëpinë e Bardhë, anuloi disa akte të mbrojtjeve mjedisore, përfshirë kufizimet mbi emetimet e dioksidit të karbonit nga termocentralet dhe automjetet.
Në këtë fushatë, ai ka premtuar të zgjerojë shpimet në Arktik dhe ka sulmuar veturat elektrike.
Shëndetësia
Harris ka qenë pjesë e një administrate të Shtëpisë së Bardhë që ka ulur kostot e barnave me recetë dhe ka vendosur një kufi prej 35 dollarësh për çmimet e insulinës.
Trump, i cili shpesh ka premtuar të ‘shaktërrojë’ Aktin e Kujdesit të Përballueshëm (Affordable Care Act), ka thënë se nëse zgjidhet, vetëm do ta përmirësojë atë, pa ofruar detaje specifike.
Ky akt ka qenë thelbësor për sigurimin shëndetësor për miliona njerëz të tjerë.
Ai ka kërkuar trajtime të fertilitetit të financuara nga taksapaguesit, por kjo mund të kundërshtohet nga republikanët në Kongresin amerikan.
Ligji dhe rendi
Harris është përpjekur ta shfaq përvojën si prokurore gjersa ka folur shumë për dënimin e Trumpit.
Trump ka premtuar të shkatërrojë kartelet e drogës, të zhdukë dhunën e bandave dhe të rindërtojë qytetet e drejtuara nga demokratët që, sipas tij, janë të mbushura me krim.
Ai ka thënë se do të përdorë ushtrinë ose Gardën Kombëtare, një forcë rezerviste, për të trajtuar kundërshtarët që ai i quan “armiku i brendshëm” dhe “të çmendurit radikalë të së majtës”, nëse ata do të pengojnë zgjedhjet.
Armët
Harris e ka bërë parandalimin e dhunës me armë një premtim kryesor dhe, së bashku me Tim Walz – të dy pronarë armësh – shpesh avokojnë për ligje më të rrepta.
Megjithatë, ata do të hasin në vështirësi pasi këto lëvizje – zgjerimi i kontrolleve të së kaluarës ose ndalimi i armëve – do të kenë nevojë për ndihmën e Kongresit amerikan.
Trump është pozicionuar si një mbrojtës i fortë i Amendamentit të Dytë, e drejta kushtetuese për të mbajtur armë.
Duke iu drejtuar Shoqatës Kombëtare të Armëve (National Rifle Association) në muajin maj, ai tha se ishte miku i tyre më i mirë.
Marihuana
Harris ka kërkuar dekriminalizimin e marihuanës për përdorim rekreativ.
Ajo thotë se shumë njerëz janë dërguar në burg për posedim dhe thekson numrin joproporcional të arrestimeve për burra me ngjyrë dhe latino-amerikanë.
Trump ka zbutur qasjen dhe ka thënë se është koha për t’i dhënë fund “arrestimeve dhe burgosjeve të panevojshme” të të rriturve për sasi të vogla marihuane për përdorim personal.
Kujtojmë se 50 shtete federale dhe një distrikt japin gjithsej 538 të ashtuquajturit zgjedhës, të cilët ndahen proporcionalisht sipas popullsisë së një shteti federal.
Për shembull, Nebraska dhe Wyoming japin numrin më të vogël të zgjedhësve (3), ndërsa Kalifornia dhe Teksasi japin më së shumti, 53 dhe 38.
Kandidati që merr më shumë vota në një shtet të caktuar federal fiton të gjithë zgjedhësit e atij shteti. Çdo kandidati do t’i duhen së paku 270 zgjedhës për tu shpallur president i ri i shtetit amerikan.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale amerikane do të mbahen më 5 nëntor (e martë). /Telegrafi/