Edhe pse kanë ditë pasi autoritetet serbe njoftuan se i arratisuri nga burgu i Smrekonicës, Faton Hajrizi është vrarë në afërsi të Loznicës, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar nga Serbia se kur do të kthehet trupi i viktimës.
Hajrizi më 6 korrik ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës. Më pas, ai kishte lëshuar Kosovën, ndërkaq u shpall në kërkim edhe nga ana e policëve në Serbi, pasi dyshohej se atje ka vrarë një polic serb më 18 korrik në Loznicë.
Një ditë pas raportimeve për vrasjen e policit serb në Loznicë, mediat serbe bënë të ditur se forcat serbe kanë lokalizuar 39-vjeçarin, dhe se i njëjti është vrarë pasi nuk ka pranuar të dorëzohet.
Me gjithë raportimet që u bënë për të, autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë detaje se kur do të kthehet trupi i tij në Kosovë.
Avokati Musa Damati në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se në rastin e Faton Hajrizit duhet të ndiqen procedurat ligjore dhe se trupi i viktimës duhet të kthehet te familjarët.
“Rasti i rëndë i cili ndodhi ditë më parë në Serbi pa dyshim që e ka shokuar edhe opinionin publik në Republikën e Kosovës. Mirëpo, në aspektin procedural, ligjor, pavarësisht asaj që sa mund të jetë një rast i rëndë, apo mund të ketë elemente të veprimtarisë kriminale, gjithsesi në shtetet demokratike duhet të respektohet ligji, procedurat ligjore, penale, në rastin konkret kemi të bëjmë me të drejtën humanitare”, u shpreh ai.
Gjithashtu, në këtë rast Damati thotë se është e rëndësishme që familja të angazhon edhe një avokat, në mënyrë që t’i përfaqësojë familjen tek autoritetet atje.
“Aplikimi i të drejtës humanitare dhe organet në Serbi do të ndjekin procedurat ligjore për kthimin e trupit në duart e familjareve. Mirëpo, unë mendoj se edhe familja duhet të angazhojë një avokat për t’i përfaqësuar të njëjtit para organeve në Serbi, në mënyrë që të mos mungojë vullneti dhe iniciativa edhe proceduralisht nga familja, për të kërkuar dhe për të marrë trupin. Dhe pastaj të organizon ceremoninë që kanë të bëjnë më funeralin. Pra, është e drejtë ligjore, e rregulluar në çdo shtet demokratik, dhe kjo mendoj që është rregulluar edhe në shtetin serb”, ka potencuar ai.
Se kur do të mund të marrin familja trupin e viktimës, Damati pohoi se e gjithë kjo varet nga legjislacioni që kanë vendet.
“Sa i përket kohëzgjatjes varet nga legjislacioni i secilit vend, procedurat e secilit vend, mirëpo, unë mendoj që ato do të ndiqen dhe natyrisht familjarët kanë të dejtë të pamohueshme që të marrin trupin e familjarit të tyre”.
MPJD: Shenjat e gishtërinjve të dërguara nga Serbia përshtaten me ato të Faton Hajrizit
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se është konfirmuar vrasja e Faton Hajrizit.
Në një njoftim thuhet se MPJD-së është njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi.
“Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/