Site icon Telegrafi

Kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës “nuk shihet në horizont”

Akoma shumë i largët po konsiderohet kthimi i serbëve në institucionet kosovare, sidomos në rrethanat aktuale politike e në terren mes Kosovës dhe Serbisë.

Një vit e gjysmë nga largimi, kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës duket pak i mundshëm në rrethanat aktuale.

Serbët që lanë uniformën e policisë, vendet e punës në gjykata e prokurori, sollën vështirësi në funksionimin e këtyre institucioneve në veri.

Megjithatë për zyrtarët e qeverisë, zhvillimet e fundit të vitit 2022, krijuan një momentum të ri për ndryshime pozitive.

“Momenti i braktisjes së institucioneve nga ana e zyrtarëve të Listës Serbe e ka krijuar hapësirën për integrim demokratik e të gjithanshëm të komunitet serb në jetën institucionale të vendit. Kjo ka filluar qysh me betimin e kryetarëve në komunat veriore, tani vazhdon me hov të shtuar me punësimin e qytetarëve serb, që janë me qindra sosh që janë punësuar në katër komunat veriore”, deklaroi për TV Dukagjinin Arbër Vokrri, zv/ministër për Administrim dhe Pushtet lokal.

Për analistin Belgzim Kamberin, kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës mund të bëhet vetëm përmes bisedemeve ndërmjet palëve.

“Ata po provojnë që njëherë të themelohet asociacioni e më pas si process paralel të ndodhë edhe integrimi i serbëve..Në këtë situatë pak duket se ka shpresë, që të integrohen serbët në Institucionet e Kosovës, dhe kjo do të mund të zhbllokohej realisht, vetëm ndërmjet dialogut në Bruksel, por gjasat janë tashmë të vogla, aq më tepër që çdo herë e më shumë po afrohemi në zgjedhje”, deklaroi Belgzim Kamberi nga Instituti “Musine Kokalari”.

Por krejt të kundërtën e mendon politologu Fidan Ukaj që shprehet kundër praktikës së ujdive politike.  

“Mendoj se nuk duhet të përsëritet gabimi i cili ka qenë, një marrëveshje politike për të futur në institucione njerëz të paverifikuar  që më vonë u vërtetua se vetëm për institucionet e Kosovës nuk kanë punuar por kanë qenë vetëm marioneta, e politikës së Beogradit dhe presidentit Vuçiq”, tha Ukaj.

Si rezultat i kundërshtimit të hapave të qeverisë për ndalimin e targave ilegale serbe, Lista Serbe mori vendim për largimin nga institucionet, përveç atyre qendrore edhe lokale, si edhe ato të sundimit të ligjit e drejtësisë.

Exit mobile version