Edhe pse kanë kaluar vite nga luftërat e tmerrshme ballkanike dhe luftërat në Kosovë e Maqedoni, plagët e pashëruara ende kullojnë gjak. Ende hapen varre të reja nga eshtrat e viktimave të pafajshme shqiptare dhe varreza tjera masive sekrete. Këta njerëz ishin viktima të pafajshme; ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë. Tentimi për të fshehur krimet, si dhe kufomat e shqiptarëve në vise të ndryshme të Serbisë, së fundi edhe në Maqedoni, është edhe dëshmi se cili është raporti i sllavëve ndaj popullit shqiptar (të vdekur apo të gjallë).
Vrasësit ordinerë ende qarkullojnë të lirë rrugëve të Beogradit, të Shkupit, dhe tani së fundi filluan të dëgjohen edhe më zëshëm në Kumanovën e Ismet Jasharit, ku bëjnë shumë zhurmë për kinse shpjegimin e vërtetë të historisë së luftërave ballkanike. Në vend se të aktivizohet ndjenja njerëzore e pendimit për krimet e bëra ndaj fqinjëve të tyre, te ata sërish ringjallet epshi shtazarak për trembjen dhe dëbimin e popullit shqiptarë nga Maqedonia dhe trojet tjera etnike shqiptare. Këto fakte duhet t’i kenë parasysh edhe disa vende të botës, që kohëve të fundit filluan të luhaten nga qëndrimet parimore.
E gjithë kjo ndodhë nga ofensiva e egër propagandistike serbe, intrigat politike, vrasjet si dhe shumë vepra tjera kriminale “enigmatike” të porositura nga qarqet antishqiptare. Populli shqiptar tani më e ka kuptuar shumë mirë kush fshihet prapa kësaj skene. Nëse nga ne kërkohet që të falim dhe të harrojmë për atë që bënë bandat serbe me fëmijët, gratë shtatzëna, bijat dhe pleqtë tanë , si mund të kërkohet tani nga ne që të lozim lojën e të sëmurit nga amnezioni dhe të rrimë indiferentë ndaj sulmeve të paskrupullta që bëhen për ndryshimin e historisë, për shuarjen graduale të aspiratës shekullore të shqiptarëve për ardhmëri, paqe dhe liri.
Ende nuk janë tharë lotët e nënave, motrave… për më të dashurit e tyre, e prapë ndihmohet nga instancat më të larta shtetërore maqedonase kthimi i vrasësit në vendin e krimit. Padyshim, kërkojnë të vazhdojnë lojën e tyre të djallit, aty ku u ndërpre në vitin 1999-2001.
Nuk thuhet kot, kriminelët ndjejnë dëshirë të madhe që sërish të kthehen në vendin e krimit. Iluzionet e serbëve për rikolonizimin e Ballkanit ,vetëm sa vijnë dhe shtohen! Serbia, de facto, po i shpallë luftë forcave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ballkan dhe popullit shqiptar! Është e njohur fare mire nga historia e Ballkanit kush ka nxitur dhe nisur flakën e luftërave ballkanike. Duke u nisur nga ky fakt, nuk duhet harruar, por duhet mbajtur në mend një herë e përgjithmonë atë thëniën e artë: Historia mësohet që të mos përsëritet.
Ndonjë tentim eventual i kthimit të tyre në Ballkan, do të kishte lëvizur dhe eshtrat e atyre njerëzve të pafajshëm, që u masakruan nga po kjo armatë. Populli i Ballkanit dhe shqiptarët padyshim do t’ju kishin bërë “pritje madhështore”. Pra, Nikoliq dhe Daçiç, “mirë se vini” sërish në vendin e krimit!