Telegrafi

Kthimi i “Trepçës” në pronë të shtetit mobilizon qeverinë e Serbisë

Qeveria e Serbisë nesër pasdite do të mbajë konferencë për media që i dedikohet çështjes së kompleksit “Trepça”.

Në konferencë do të flasin drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ministrat Aleksandar Antiq, Zhelko Sertiq dhe Aleksandër Vulin, sikurse edhe përfaqësues të Listës Serbe, raporton Koha.net.

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 14 janar të këtij viti, ka vendosur që kompleksi “Trepça” të kthehet në pronë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ministri për Zhvillim Ekonomik, Blerand Stavleci, të mërkurën, gjatë mbledhjes së qeverisë, ka thënë se me ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për ndërmarrje publike, me propozim të Qeverisë, Kuvendi i Kosovës mund të marrë vendim që të heqë nga kompetenca e Agjencisë Kosovare për privatizim ndonjë ndërmarrje shoqërore ose ndonjë njësi të organizuar shoqërore përfshirë dhe asetet e tyre, dhe të autorizojë Qeverinë që kjo ndërmarrje shoqërore, përkatësisht njësitë organizative shoqërore të saj t’i regjistrojë si ndërmarrje publike qendrore në pronësi të Republikës së Kosovës.

Kuvendi i Kosovës e merr këtë vendim nëse ekziston interesi madhor publik siç është rasti për kompleksin “Trepça”.

Gjithashtu, sipas këtij plotësim-ndryshimi, përcaktohet që ndërmarrja publike të regjistrohet si e tillë dhe merr përsipër vetëm ato detyrime ndaj palëve të treta të cilat një Tribunal i Arbitrazhit ose një gjykatë kompetente përfundimisht cakton si detyrime të kësaj ndërmarrjeje publike.

Qeveria e miratoi këtë vendim i cili më pas do t’i dërgohet për miratim edhe Kuvendit të Kosovës .

Që nga ky vendim, zyrtarë të shumtë qeveritarë të Serbisë kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke propozuar që kjo çështje të shkojë në Bruksel. /koha/