“Kjo temë paraqet një realitet të shqiptarëve, gjegjësisht, një plagë të rëndë – që ndryshe quhet kurbet. Pra, në pah to të vihet tradita dhe kultura shqiptare, por edhe kundërthëniet mes të traditës sonë dhe asaj perëndimore”, ka thënë Abdyli për Express.
Sapo “Kthimi” të jetë i gatshëm në shirit filmik, me gjasë do ngacmojë shumë shqiptarë që jetojnë në perëndim, që për çfarëdo arsye qoftë martohen me gjermane. Filmi, në veçanti, synon të shtjellojë integrimet dhe kontradiktat mes kulturës dhe traditës shqiptare dhe asaj evropiane.
Darko Basevski, drejtor i FFM-së ka thënë se “Kthimi” është financuar për shkak se është një projekt shumë interesant dhe me skenar shumë të mirë. “Skenarët e tillë ne normalisht që i financojmë, pra si kooproduksion. Që nga fillimi i qendrës për financimin e filmit ne kemi dashur që të zhvillojmë sa më shumë kooproduksione, pavarësisht asaj se nga vijnë ata”, ka thënë shpreh Basevski.
Ndryshe, ngjarja e filmit është vendosur në Kosovën e sotme, ku gërshetohen e vjetra me të renë, tradicionalja me modernen, perëndimorja me ballkaniken, patriarkalizmi me globalizmin.
Regjisori Abdyli ka vënë në qendër lidhjen ndërmjet tradicionales shqiptare dhe integrimit në kulturën dhe traditën evropiane.
“Përmes plakut, kryepersonazhit të filmit, që do ta luaj Selman Lokaj, e paraqes kulturën dhe traditën shqiptare, e përmes nuses gjermane e paraqes traditën dhe kulturën perëndimore. Ndërkaq, përmes djalit e paraqes udhëkryqin e rinisë shqiptare, sidomos të atyre që emigruan në Perëndim”, ka thënë Abdyli.
Filmi ka gjetur përkrahje, ndonëse, sipas, Abdylit, për të tërheqjen e këtij fondit duhet plotësuar një kusht.
“Për tërheqjen e fondit nga FFM, kusht e kam që ta siguroj pjesën tjetër të buxhetit, pra edhe 207,000 euro, ose edhe 51 për qind të financimit (siç është paraparë me rregulloren e fondit)”, ka thënë Abdyli, i cili aktualisht është në kërkim të kooproduksioneve.
Sipas tij, kasti e aktorëve kryesisht do të jetë nga Kosova, fakt ky që paraqet një problem shtesë, për shkak të pagesës së tyre nga mjetet e ndara nga FFM-ja.
“Ende nuk mund të mendoj për pjesën tjetër të aktorëve, për arsyeje të buxhetit dhe për shkak se vetë fondi i filmit të Maqedonisë ta imponon që shumica e mjeteve të shfrytëzohen në Maqedoni”, ka thënë ai.
Por, një gjë dihet, ekipi do të ketë aktorë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Sipas Abdylit, diku rreth muajit maj duhet të përmbyllet buxheti dhe në një afat gjashtëmujor duhet të bëhet plani operativ për fillimin e xhirimit të “Kthimit”.
FFM edhe më herët ka bashkëpunuar me aktorë dhe kineastë shqiptarë, siç ishte rasti me filmin “East, West, East”, të Gjergj Gjuvanit.
“Edhe këtë vit, ka shumë projekte që kanë arritur në adresën tonë. Ne do t’i shikojmë ato dhe, nëse ndonjëri prej tyre ka një skenar të mirë, atëherë edhe do ta financojmë”, ka thënë drejtori Basevski. /Telegrafi/