Sekretari amerikan i mbrojtjes ka anuluar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila do t’ua kishte mundësuar të akuzuarve për planifikimin e sulmeve të 11 shtatorit të shmangnin dënimet me vdekje.
Së fundmi, u njoftua se prokurorët kishin arritur një marrëveshje që Khalid Sheikh Mohammed, Walid bin Attash dhe Mustafa al-Hawsawi të pranonin fajin për planifikimin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.
Vetëm dy ditë më vonë, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka vënë veton ndaj marrëveshjes, e cila tërhoqi polemika pasi treshja do të përballej me një dënim të përjetshëm në vend të dënimit me vdekje në Gjirin e Guantanamos.
Bëhet e ditur se Austin e ka liruar Susan Escallier, e cila mbikëqyr Gjykatën e Luftës në Guantanamo, nga autoriteti për të lidhur marrëveshje paragjyqësore, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
Në një letër Austin ka njoftuar se i ka tërhequr të tre marrëveshjet paragjyqësore, duke i rikthyer ato si raste të dënimit me vdekje.
Mohammedi, i cili akuzohet si organizatori i sulmeve të 11 shtatorit ku u vranë 2,977 njerëz, u kap në Pakistan në vitin 2003.
Ai është mbajtur në Gjirin e Guantanamos së bashku me Walid bin Attash dhe Mustafa al-Hawsawi që nga dhjetori i vitit 2006.
Një vit më vonë, ai rrëfeu se organizoi sulmet e 11 shtatorit dhe shumë incidente të tjera terroriste.
Siç raportohet, të tre pritej që zyrtarisht të pranonin fajësinë sa më shpejt në bazë të marrëveshjes. /Telegrafi/