Site icon Telegrafi

Kthehet normaliteti në pikën kufitare në Kakavijë

Situata në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, atë të Kakavijës është normalizuar në mesnatë ku është bërë i mundur kalimi i gjithë qytetarëve që prisnin në radhë.

Pas komunikimeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare me palën greke, në Kakavijë u punua pa ndërprerje ku u dërguan edhe ekipe shtesë mjekësore duke bërë të mundur dhënien fund të radhëve të gjata të pritjes për qytetarët shqiptarë që prisnin për të kaluar kufirin për në Greqi

Kryeministri Edi Rama reagoi pas mesnate teksa në Kakavijë kishin kaluar të gjithë personat drejt Greqisë.

Rama falënderoi të gjitha strukturat dhe autoritet shtetërore që u përfshinë në këtë aksion.

“Faleminderit të gjithë atyre që kontribuuan për zgjidhjen e ngërçit të rëndë në pikën kufitare të Kakavisë; qytetarëve në radhë të parë, që në shumicën dërrmuese patën mirëkuptim e durim me gjithë hallin e madh; Emergjencave Civile, forcave të ushtrisë e të policisë, trupës së Urgjencës Shëndetësore dhe strukturave vendore, që u gjendën pranë njerëzve me përkushtim e pa orar; të gjithë atyre në vendin fqinj që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë”, u shpreh Rama.

“U uroj nga zemra një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit, e të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme”, tha më tej Kryeministri, duke iu uruar “rrugë të mbarë udhëtarëve të fundit dhe ruani veten e të tjerët nga virusi i rrezikshëm COVID-19”. /ATSH/

Exit mobile version