Adinoviç në skuadrën e re do të punojë si ndihmës i trajnerit të njohur Miroslav Muta Nikoliq. Pasardhës i Adinoviqit është emëruar Krasniqi, trajneri më i trofeshëm në basketbollin kosovar, i cili ka dy vite që është i papunë. Ai me Sigal Prishtinën është shumë herë fitues i titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës, pritet që brenda ditësh të kompletojë edhe shtabin e tij teknik me të cilët do të punojë në klub dhe do ta drejtojë skuadrën që në ndeshjen e radhës kundër Bashkimit të Prizrenit.
“Me Arbenin jemi marrë vesh që ta drejtojë skuadrën deri në fund të këtij edicioni me mundësi që bashkëpunimi të vazhdojë varësisht nga rezultatet e arritura”, tha presidenti i KB RTV 21, Leart Kelmendi. Sipas tij, “skuadra nuk do të ketë ndryshime në përbërje, të paktën jo deri në pranverë, por kjo varet edhe nga trajneri i ri. Ai pas dy javë do ta vlerësojë skuadrën dhe nëse ka ndonjë kërkesë për basketbollistë të huaj, ne do ta shqyrtojmë dhe do të veprojmë sipas mundësive tona”. Sipas kumtesës së lëshuar nga RTV 21, del se pas largimit të Adin Adinoviq, nga posti i drejtorit të klubit është tërhequr edhe Leart Hoxha, por këtë e mohon Kelmendi duke thënë se “Learti mbetet drejtor, por për shkak të angazhimeve të mëdha në televizion në skuadër do të kyçet sipas nevojave”.
Kohë më parë nga skuadra është larguar edhe Ozseven njëri ndër basketbollistët më të dalluar, i cili është kthyer në Turqi. Përkundër përpjekjeve ishte e pamundur që të kontaktojmë me Arben Krasniqin. RTV 21 e cila në edicionin e kaluar ishte befasia më e këndshme, edicionin e ri nuk e ka nisur aq suksesshëm pasi pas 5 ndeshjeve të para zë pozitën e katërt me 7 pikë, duke shënuar dy fitore dhe duke pësuar tri humbje. /Zëri/Telegrafi/