Hetuesit policor Idriz Gashi i është kthyer masa e suspendimit vetëm pak orë pasi ishte kthyer në punë, ka bërë të ditur avokati i tij, Arianit Koci, të premten në mbrëmje.
Gashi ishte në mesin e tre zyrtarëve policorë të suspenduar më 8 janar pasi dyshoheshin se morën pjesë në tubime parazgjedhore të partive politike. Por paraditen e sotme, avokati Koci ka thënë se klienti i tij ishte kthyer në detyrë pasi ishte konstatuar se s’kishte marrë pjesë në tubime politike.
Megjithatë, në një postim në mbrëmje, Koci ka thënë se Gashit i është rikthyer masa e suspendimit në atë që e ka cilësuar si vendim të paligjshëm.
“Siguria juridike e qytetarëve është në rrezik serioz. Hetuesit policor Idriz Gashi, sot në ora 12.22 i është rikthyer arma dhe legjitimimi policor, pasi kishte përfunduar afati i suspendimit. Megjithatë, pas përfundimit të orarit të punës, i është dorëzuar një vendim i ri, i paligjshëm, për vazhdimin e masës së suspendimit, pa afat dhe pa të drejtë ankese”, ka shkruar Koci.
Sipas avokatit, ky veprim përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe cenon besimin në sistemin juridik të vendit.
“Pasi zgjatja e masës së suspendimit mund të bëhet vetëm brenda afatit të përcaktuar. Për më tepër, kjo situatë tregon qartë elemente të një persekutimi ndaj një hetuesi të angazhuar në trajtimin e rasteve më të mëdha të korrupsionit. Një shkelje e tillë është e papranueshme dhe cenon jo vetëm integritetin e Policisë së Kosovës, por edhe besimin në gjithë sistemin juridik të vendit”, ka shkruar tutje Koci.