Telegrafi

Kthehet Fondi i Privatizimit?

Fillimi i procesit të suksesionit, po i hap rrugë kthimit të fondit të privatizimit në Kosovë. Formimi i Komisionit për suksesin, tani mund të shërbejë si mundësi për kthimin e mjeteve të privatizimit nga ndërmarrjet shoqërore në Kosovë.

Për të filluar vlerësimin dhe evidentimin e tokave jashtë Kosovës, duhet së pari që ky fond të zhbllokohet, në mënyrë që vendit t’i hapet rruga për kompensim me shtetet e tjera për të gjitha pronat e shitura, shkruan Express.

Ministria e Punëve të Jashtme e ka formuar Komisionin për suksesion, ku pjesë e tij janë edhe Agjencia Kosovare e Pronës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Punë të përbashkët këto autoritete kanë çështjen e pronave të ndërmarrjeve kosovare në shtetin e dikurshëm.

Komisioni ka identifikuar pronat e ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në shtetet e dala nga shthurja e Jugosllavisë.

Në ish-republikat e Jugosllavisë, gjenden 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. E, më së shumti prona të ndërmarrjeve kosovare ka në Serbi, ku janë gjithsej 104, pastaj në Mal të Zi dyzet e dy, në Bosnjë dhe Hercegovinë pesëmbëdhjetë, në Kroaci gjashtë, në Maqedoni katër dhe në Slloveni një. /Telegrafi/