Qetësinë e ndeshjes që ishte jashtëzakonisht e tensionuar për shkak të rëndësisë së madhe për të dyja palët e prishi Samir Sahiti. Mesfushori i Ferizajt kaloi ekipin e tij në epërsi në minutën 12’ me një gjuajtje të fortë nga 25 metra, duke e lënë të pashpresë portierin vendas që të pengojë topin të futet në rrjetë.
Tre minuta më vonë Astrit Fazliu dështoi të dyfishojë epërsinë mysafire, edhe pse ishte i përballur vetë me portierin vendas, Ferid Imeri. Lojtarët e Ferizajt shënuan edhe një herë, por në anën e kundërt, duke ia mundësuar Hajvalisë që të barazojë rezultatin. Në minutën 26’ Dardan Jashari qëlloi portën e vet, pasi që më parë topi u dëbua nga portieri Ferid Imeri.
“Luajtëm mirë, patëm shumë raste për të shënuar gola dhe të fitojmë, por në fund humbëm. Dënimi erdhi nga gabimet tona, të cilat po na shkaktojnë probleme të shumta”, tha kapiteni i Hajvalisë, Gëzim Gashi. Ferizaj sërish mori epërsinë një minutë para shkuarjes në pushim.
Fazliu nxori një penallti pas një dueli me Akil Makollin, të cilën vetë edhe e konvertoi në gol. Skuadra vendase bëri gjithçka që në pjesëlojën e dytë të rikthehet në lojë, por dështoi të gjejë golin, me gjithë rastet e shumta që krijoi. Dy herë Suad Sahiti ishte në situatë ideale dhe një herë Nikollë Dushi (qëlloi shtyllën) por pa ndryshim rezultati. Ndërkohë mysafirët rrezikuan sërish nëpërmjet Fazliut, por i cili kësaj radhe qëlloi vetëm shtyllën.
“Ishte një ndeshje mjaft e vështirë. Mendoj se fituam me meritë. Iu kthyem fitoreve, por njëherësh edhe luftës për titull”, tha Fazliu. /Zëri/Telegrafi/