Telegrafi

Kthehet buzëqeshja e Bluve

Menaxheri i rikthyer në Stamford Bridge, Jose Mourinho, e angazhoi nga minuta e parë Kevin De Bruynen, ndërsa transferimet e reja Andre Schurrle, Mark Schwarzer, Marco van Ginkel, si dhe i rikthyeri nga Real Madridi, Michael Essien, ishin në bankën rezervë. Fernando Torres udhëhiqte sulmin.

Një ndërhyrje të gabuar pikërisht në Torres, arbitri e ndëshkoi me penalti. Mirëpo, portieri McGregor mbrojti goditjen e Frank Lampard nga pika e bardhë (6’).

Nuk kaloi shumë kohë dhe Blutë erdhën te goli i avantazhit. De Bruyne e pranoi topin nga Hazard dhe dërgoi një pasim brilant drejt Oscar, kurse braziliani e dërgoi topin në rrjet (13’).

Frank Lampard e përmirësoi gabimin e mëparshëm duke shënuar një supergol nga gjuajtja e lirë, nga një distancë prej rreth 32 metrash (25’).

Lojtarët e Hulllit u angazhuan shumë në pjesën e dytë duke u bërë presion vendasve, por e kishin të vështirë ta thyenin mbrojtjen e përbërë nga Ivanovic, Cahill, Terry e Cole.

Në gjysmën e dytë, strategu portugez inkuadroi në lojë Schurrlen (De Bruyne), Romelu Lukakun (Torres) dhe Marco van Ginkel (Oscar), mirëpo rrjetat nuk u prekën më.

Që nga ndeshja e parë, Chelsea i ka paralajmëruar sfiduesit për titull se do të jetë padyshim njëri nga pretendentët. Ky ishte edhe qëllimi i kthimit të Jose Mourinhos në krye të skuadrës. /Telegrafi/