Telegrafi

Kthehen nga Turqia 120 qytetarë të Kosovës

Ministri në detyrë i Ambientit dhe Infrastrukturës në Kosovë, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se në Kosovë kanë arritur 120 qytetarë kosovar nga Turqia.

Në një postim në rrjetin social Facebook, ai ka shkruar se shumica e të kthyerëve kanë qenë në trajtim jashtë vendit.

“Dje kthyem 76 qytetarë nga Zvicra. Në këto orë sapo i kthyem edhe 120 të tjerë nga Turqia. Nesër i kthejmë edhe 12 shtetas nga Çekia e Polonia.

Shumica e të kthyerve sonte ishin në trajtim shërues jashtë vendit. Gjendja e tyre shëndetësore ishte alarm për gjithkë. Kthimi, ndërsa, është lehtësim i madh për të gjithë ne. Mirë se vini në shtëpi”, ka shkruar Abdixhiku.

Të gjithë të kthyerit sikur edhe në të kaluarën do të dërgohen në karantinë në Qendrën e Studentëve në Prishtinë për 14 ditë, për të shmangur kontaktet me njerëz të tjerë në rast se janë të infektuar me coronavirusin e ri.

Deri më tash, Kosova ka regjistruar 598 raste të të infektuarve – prej tyre 123 janë shëruar. Numri i viktimave ka arritur të martën në 16. /Telegrafi/