Disa familje që kishin mbetur të ngujuara nga lufta në Siri, janë kthyer sonte rreth orës 23:00 në Kosovë.
Bëhet e ditur se forca të shumta të Policisë së Kosovës kanë rrethuar Aeroportin e Prishtinës, më saktësisht vendin ku gjendet zona VIP.
Po ashtu edhe autoambulanca e autobusë kanë hyrë në Aeroport me qëllim që t’i marrin të rikthyerit, raporton Gayeta Express.
Mësohet se grupi i grave dhe fëmijëve që u kthyen nga Siria në Kosovë, do të shoqërohen në polici për të qëndruar aty.
Policia nuk ka dhënë detaje se pse është kjo prani e Policisë në Aeroport. Gazeta ka provuar të flas më zëdhënësit e policisë, por ata deri më tani nuk kanë pranuar të japin asnjë informatë.
Në fund të shkurtit tè këtij viti, kur grupi militant Shteti Islamik (IS) kishte humbur shumicën e territorit në Siri, ishte raportuar se atje vazhdojnë të mbesin më shumë se 150 shtetas të Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, në zonat e konfliktit ka luftëtarë, gra dhe fëmijë nga Kosova.
“Numri i luftëtarëve aktualë që gjenden akoma në zonën e konfliktit është 56, ndërsa numri i luftëtarëve të kthyer në Kosovë, apo edhe në vendet tjera nga të cilat kanë udhëtuar për në zonën e konfliktit është 120”, thuhej në një përgjigje të Policisë së Kosovës për REL, në fund të muajit shkurt të këtij viti. /Telegrafi/