Telegrafi

KT “HotShot” nga Gjakova vazhdon të tregohet i suksesshëm

Federata e Tenisit të Kosovës, këtë fundjavë ka bërë organizimin e turneut “Kosova Bowl 2024”, ku morën pjesë shumë klube të tenisit nga Kosova, Shqipëria, e Mali i Zi.

E pjesëmarrës në këtë turne me 5 garues ishte edhe Klubi i Tenisit “HotShot” nga Gjakova, klub ky që arriti 2 vende të para, 2 vende të 3-ta dhe një vend të 5-të.

Garuesit e klubit “HotShot” që u shpërblyen me vendet e para në kategoritë e grupmoshave të tyre përkatese ishin Jon Hima (U10), dhe Olea Gjoka (U8).

Ndërsa Arisa Vula dhe Diora Gjoka u shpërblyen me vendin e tretë në grupmoshën U11.

E teniserja tjetër nga Klubi “HotShot”, Kenza Zajmi arriti që këtë turne ta mbyllë në vendin e pestë në grupmoshën U11.

Në një deklaratë për Telegrafin, trajneri i klubit të tenisit “HotShot”, Art Baruti, tha duke marrë parasysh cilësitë e teniserëve që morën pjesë në këtë turnir këtë vit gara ishte më e fortë.

“Ishte një atmosferë fantastike dhe konkurrenca ishte më e fortë se zakonisht pasiqë morën pjesë edhe teniserë cilësor nga Shqipëria, Ulqini, Presheva e diaspora.”, tha trajneri Baruti.

Baruti po ashtu edhe për rëndësinë e këtyre garave për teniserët e klubit të tij.

“Për lojtarët e klubit tonë pjesëmarrja në këtë turne ishte një eksperiencë shumë e mirë dhe e nevojshme për zhvillimin e mëtutjeshëm të tyre si teniser, dhe po ashtu besoj që rezultatet e arritura do të ju shërbejnë si motiv shtesë për të ardhmen.”, përfundoi Baruti.

Ndër të tjera theksojmë që edhe për shkak të terreneve të duhura për sportin e tenisit në Gjakovë, klubi “HotShot” vazhdon që të arrijë rezultate të larta në garat të cilat merr pjesë.