Prej sot ka filluar afati për paraqitjen e të gjithë pjesëmarrësve të interesuar në zgjedhje për Këshillin e Komunës së Tetovës.
Afati do të zgjasë 15 ditë, gjegjësisht deri më 14 korrik në zyrën rajonale të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në Tetovë.
Siç bëri me dije sot anëtari i KSHZ-së, Boris Kondarko, afat i rëndësishëm për pjesëmarrësit në këto zgjedhje është 15 korriku, kur është edhe afati përfundimtar për dorëzim të listave të kandidatëve të të gjitha partive politike ose listave të pavarura të kandidatëve përmes grumbullimit të nënshkrimeve.
Zgjedhjet për Këshillin e Komunës së Tetovës do të mbahen më 20 gusht 2022 ndërsa të sëmurët dhe të pafuqishmit dhe të gjitha kategoritë tjera që sipas ligjit kanë të drejtë vote, mund të votojnë një ditë më parë më 19 gusht.
Në seancën e Qeverisë më 14 qershor është marrë vendim për shpërbërjen e Këshillit të Komunës së Tetovës në pajtim me një nga kushtet e nenit 75 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, sipas të cilit këshillat komunalë do të shpërndahen nëse nuk miratojnë llogarinë përfundimtare dhe buxhetin deri më 31 mars që parashikohet nga dispozita ligjore.