Komisioni shtetëror zgjedhor e kontrollon informacionin e pranuar, ka të bëjë me atë se më shumë se gjysma e të burgosurve në burgun e Idrizovës sot nuk kanë arritur të realizojnë të drejtën e votës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Nuk kemi njoftim zyrtar as për parregullsitë e paraqitura nga votimi i sotëm në burgun e Idrizovës. Këtë informatë e pranuam nga mediat dhe është në proces të verifikimit. Nga përvoja e deriyanishme, problemi me të burgosurit qëndron në atë se nuk kanë dokumente të identifikimit ose nuk janë në Listën zgjedhore sepse janë burgosur pas mbylljes së kësaj liste”, thotë Ljupka Guguçevska nga KSHZ.
KSHZ nuk ka pranuar njoftim nga Drejtoria për kryerjen e sanksioneve, ndërsa gjatë ditës së nesërme do të dihen shkaqet për mos realizimin e të drejtës për votë të të burgosurve në Idrizovë.
Në burgun e Idrizovës ka 1.810 të burgosur, ndërsa në Listën zgjedhore janë të evidentuar 955 votues nga 60 komuna. Sipas informatave të fundit zyrtare, kryetarja e vendvotimit 2536 në Idrizovë tha se procesi i votimit vijon në rregull dhe nuk ka asnjë pengesë./Telegrafi/