Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka publikuar udhëzimet për votuesit. Vetëm banorët e Shkupit do të votojnë në katër fletëvotime, dy për komunën ku jetojnë dhe dy për Bashkinë e Shkupit.
Votimi do të kryhet personalisht, në 3480 vendvotime në vend, edhe atë në mënyrë që të rrethohet numri rendor para emrit dhe mbiemrit të kandidatit, ndërsa për këshilltarët rrethohet numri para bartësit të listës i cili është caktuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Votimi për person tjetër është i ndaluar, vetëm në rastet të parapara me Ligjin Zgjedhor. Nga KSHZ njoftojnë se në zgjedhjet lokale të 15 tetorit të drejtë vote kanë 1.814.644 votues.
Nga KHSZ thonë se përfaqësuesit e autorizuar të parashtruesve të listave, vëzhguesit e autorizuar, anëtarët e organeve zgjedhore dhe votuesit, për shkak të sigurimit të fshehtësisë së votimit, në ditën e votimit nuk guxojnë të përdorin telefona celularë, fotoaparate dhe mjete tjera për inçizimin e materialit zgjedhor dhe votuesit duke votuar./Telegrafi/