Site icon Telegrafi

KShZ pret që numri i qytetarëve të paraqitur deri të premten të arrijë 10 mijë

Kontrolli qytetar i pjesës kontestuese të Listës zgjedhore, respektivisht të 39.502 votuesve të kontestuar, duhet të përfundojë të premten në ora 19, që donë të thotë se qytetarët me të drejtë të kontestuar kanë edhe katër ditë afat për paraqitje, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Nga KShZ kanë njoftuar se deri më tani janë paraqitur rreth pesë mijë qytetarë. Nga to, 2.236 janë paraqitur në njësitë rajonale dhe zyrat plotësuese të KShZ, ndërsa 2.786 janë paraqitur përmes ueb aplikacionit në faqen e internetit të Komisionit.
Edhe pse numri i paraqitjeve është nën pritjet, megjithatë nga Komisioni janë optimistë se numri deri të premten do të arrijë deri në 10 mijë qytetarë.

Përpos 39.502 votuesve të lartpërmendur me të drejtë të kontestuar, në një certifikatë të veçantë të Listës zgjedhore janë vendosur edhe 171.500 votues për të cilët supozohet se tashmë një kohë më të gjatë jetojnë jashtë vendit, por e drejta e tyre për votë nuk kontestohet./Telegrafi/

 

Exit mobile version