Site icon Telegrafi

KSHZ Maqedoni miratoi IKT strategji 2021-2023 që duhet t’i ndihmojë për mbrojtjen edhe nga sajber sulmet

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në seancën e sotme miratoi IKT strategji për periudhën e viteve 2021-2023. Sipas anëtarit të KSHZ-së, Boban Stojanovski, kjo strategji, pas problemeve të vitit të kaluar me pamundësinë për të parë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, do të kontribuojë në forcimin e besimit të qytetarëve në Komision, si dhe të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor.

“Nevoja për këtë strategji lindi nga përvoja e zgjedhjeve të mëparshme me sulme kibernetike, si dhe nga rekomandimet e dhëna nga misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura vitin e kaluar”, tha Stojanovski.

Siç shpjegoi ai, në vetë Strategjinë janë dhënë udhëzime se si të zhvillohet sistemi i informacionit në KSHZ, si dhe për zhvillimin e elementeve mbështetëse siç janë siguria, sektori i IT, organizimi i proceseve, zhvillimi i procedurave dhe të ngjashme.

“Gjithashtu, kjo strategji është një pikë e mirë fillestare dhe mbulon një pjesë të madhe të informacionit dhe strukturës së rrjetit të KSHZ, kryen analizë dhe tregon gjithçka që duhet të ndërmerret për të përmirësuar sistemin e IT në KSHZ, si dhe si t’i parandalojmë ato të ashtuquajtura sulme kibernetike ndaj aplikacioneve dhe faqes së internetit të KSHZ-së që kanë ndodhur në të kaluarën, gjegjësisht nëse ato ndodhin në të ardhmen, ato të parandalohen më lehtë sepse ne e dimë se asnjë institucion në Maqedoni ashtu edhe në botë nuk është imun ose mund të mbrohet plotësisht nga sulme të tilla kibernetike”, tha Stojanovski.

Grupi i punës, siç informoi ai, ishte i përbërë nga ekspertë të IT nga institucionet shtetërore, Fakulteti i Teknologjive të Informacionit dhe institucione të tjera të pavarura. Vijon përgatitja e planit të veprimit.

Në seancën e sotme të KSHZ-së, u krye edhe shkarkimi i 22 anëtarëve të komisioneve komunale të zgjedhjeve me kërkesë të tyre dhe u zgjodhën të rinj.

Exit mobile version