Kontrollet në terren për votues të dyshimtë në të gjithë njësitë rajonale të Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ) janë në fazë përfundimtare, njoftuan mbrëmë nga KSHZ. Nga atje shtojnë se në momentin e dhënë Komisioni është i përqendruar në regjistrimin dhe përpunimin e të dhënave nga pyetësorët në aplikacionin unik elektronik, transmeton Telegrafi Maqedoni.
„Komisioni shtetëror zgjedhor informon që kontrollet në terren të Listës zgjedhore zbatohen sipas dinamikës së përcaktuar. Mbi 550 anketues në të gjithë 80 komunat e territorit të Republikës së Maqedonisë, duke filluar nga 28 marsi, punojnë pandërprerë në periudhën prej orës 8.30 deri në 19.00. Kontrollet në terren në të gjithë njësitë rajonale të Komisionit shtetëror zgjedhor janë në fazë përfundimtare. Komisioni shtetëror zgjedhor për momentin është i përqendruar në regjistrimin e të dhënave nga pyetësorët në aplikacionin unik elektronik. Janë duke u bërë përpjekje që të gjithë të dhënat të regjistrohen në kohë dhe të përpunohen në mënyrë adekuate“, thuhet në njoftimin e KSHZ-së.
Në njoftimin e tij, Komisioni shtetëror zgjedhor i hedh poshtë si të pavërteta informatat e publikuara në një pjesë të mediumeve, për frenim të qëllimshëm të kontrolleve në terren.
„Të gjithë anëtarët e Komisionit shtetëror zgjedhor dhe shërbimi i tij profesional janë tërësisht të dedikuar që kontrollet në terren të përfundojnë në kohë”, thuhet nga KSHZ. /Telegrafi/