Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i konfirmoi kandidaturat për president të shtetit të parashtruar nga Stevo Pendarovski, Blerim Reka dhe Gordana Siljanovska – Davkova.
Në seancën e sotme KSHZ-ja i ka shqyrtuar listat për President të Republikës së Maqedonisë së Veriut nga kandidatët Pendarovski, Reka dhe Gordana Siljanovska – Davkova dhe ka konstatuar se kanë dorëzuar në mënyrë të rregullt dhe i ka konfirmuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.
KSHZ-ja paralajmëroi se të tre kandidatëve për president të shtetit do t’u përgatisë vendime për konfirmimin e listave të parashtruara, duke u dëshiruar sukses.
Sipas paralajmërimit, nesër në selinë e KSHZ-së do të mbahet seancë publike në të cilën me short do të vërtetohet renditja e listës së vetme të kandidatëve për zgjedhje për president të shtetit.
Pendarovski është kandidat i LSDM-së dhe koalicionit qeveritar, Siljanovska-Davkova e OBRM-PDUKM-së dhe koalicionit, ndërsa Blerim Reka kandidat i opozitës shqiptare. Kandidaturat e tyre janë dorëzuar me mbështetjen e zgjedhësve dhe kanë siguruar minimumin e nevojshëm të nënshkrimeve.
Fushata për zgjedhjet presidenciale fillon më 1 prill, ndërsa raundi i parë i zgjedhjeve është caktuar për më 21 prill, derisa raundi i dytë më 5 maj./Telegrafi/