Site icon Telegrafi

KSHZ-ja shfuqizon vendimin e saj, fletëvotimet pa vulë s’do të jenë te vlefshme

Një ditë pasi ndryshoi rregullat dhe vendosi t’i konsiderojë si të vlefshme edhe fletëvotimet pa vulë, KSHZ-ja e shfuqizoi vendimin e saj. Fletëvotimet pa vulën e këshillit zgjedhor, nuk do të konsiderohen si të vlefshme. Anëtarët e këshillave që nuk do ta respektojnë këtë dispozitë, do të përballen me padi, theksoi kreu i KSHZ-së Aleksandar Dashtevski.

“Theksoj se këshillat zgjedhore plotësisht duhet ta respektojnë paragrafin 2 të nenit 109 të Kodit zgjedhor dhe detyrimisht të vendosin vule në fletëvotim. Çdo lëshim në këtë pjesë do të trajtohet si lëshim në procedurë dhe nëse vërtetohet veprimi i papërshtatshëm i këshillit zgjedhor, mosrespektim i procedurës dhe veçanërisht i nenit 109, paragrafi 2 i Kodit zgjedhor, do të jetë lëndë për ngritjen e procedurës penale”, deklaroi Aleksandar Dashtevski, kryetar i KSHZ-së.

Këtë vendim KSHZ-ja e mori një ditë më parë. Gjykata Administrative kishte theksuar se është e padrejtë që për shkak të lëshimeve të këshillave zgjedhor, vota të caktuara të konsiderohen sit ë pavlefshme.

“Më vjen keq që erdhëm në këtë situatë për shkak të vendimit të Gjykatës Administrative e cila me shpalljen e fletëvotimeve pa vulë si të vlefshme erdhi deri rivotimi në një vendvotim, konkretisht në Shuto Orizare. Potencoj, përgjegjësi për këtë gjendje nuk mban KSHZ-ja”, tha Boris Kondarko, anëtar i KSHZ-së.

KSHZ-ja një ditë më parë kishte ndryshuar rregullat “e lojës” pa praninë e anëtarit Krenar Lloga i cili më vonë me shkrim njoftoi kolegët e tij se, nëse nuk e rishikonin vendimin, do ta ankimonte atë në Gjykatën Administrative./Alsat/

Exit mobile version