Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot i hodhi poshtë të gjitha ankesat e parashtruara nga Lëvizja BESA për rrethin e dytë zgjedhor të zgjedhjeve lokale.
Siç deklaroi zëdhënësja e KSHZ-së Lupka Guguçevska, nga ankesat e parashtruara nga BESA, janë refuzuar 88, ndërsa një ankesë është tërhequr nga partia. Me kërkesë të Lëvizjes BESA, 84 ankesa janë shqyrtuar si një sepse kanë pohime të njëjta dhe kanë të bëjnë me Komunën e Çairit.
Anëtarët e KSHZ-së, gjithashtu, i kanë hedhur poshtë edhe gjashtë ankesat, nga gjithsej 13 të parashtruarat nga Aleanca për Shqiptarët për votimin në Strugë.
KSHZ pas pranimit të ankesave është e obliguar në afat prej 48 orëve të marrë vendim rreth tyre. Kundër vendimit të KSHZ-së, parashtruesi i listës mund të parashtrojë padi deri te Gjykata Administrative në afat prej 24 orëve pas pranimit të vendimit.
Gjykata Administrative e Republikës së Maqedonisë, ndërkaq, pas ankesës është e obliguar të marrë vendim në afat prej 48 orëve pas pranimit të saj. Vendimet e Gjykatës Administrative janë përfundimtare./Telegrafi/