Në ueb faqen zyrtare të Komisionit shtetëror zgjedhor (KSHZ) është publikuar Formulari, në të cilin qytetarët e interesuar mund të grumbullojnë nënshkrime për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e parakohshme. Afati për grumbullim të nënshkrimeve para KSHZ, respektivisht para njësive rajonale, si dhe në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore fillon të rrjedhë prej sot dhe vazhdon deri më 9 maj, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Nga KSHZ, informojnë që sipas nenit 61, paragrafi 1 të Kodit zgjedhor „Kur parashtrues i listës së kandidatëve për deputetë është një grup votuesish, nevojitet të grumbullohen së paku 1.000 nënshkrime nga votuesit e regjistruar në ekstraktin e Listës zgjedhore të asaj njësie zgjedhore“.
– Paragrafi 2 i nenit 61 të Kodit zgjedhor e rregullon grumbullimin e nënshkrimeve për kandidatë për deputetë në diasporë: „Kur parashtrues i listës së kandidatëve për deputetë është një grup votuesish nga njësitë zgjedhore për votim jashtë vendi, nevojitet të grumbullohen së paku 1.000 nënshkrime nga votuesit e regjistruar në ekstraktin e Listës zgjedhore për ato njësi zgjedhore, para zyrtarëve të përfaqësive diplomatike-konsullore (PDK), respektivisht para zyrave konsullore në formular, në nshkruar nga Komisioni shtetëror zgjedhor“, bëjnë të ditur nga KSHZ./Telegrafi/