Telegrafi

KSHPK e miratoi Strategjinë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konfliktet e interesit

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) e miratoi Strategjinë kombëtare për parandalimin e korrupsionit dhe konflikteve të interesit në pesë vitet e ardhshme që duhet ta zbatojnë institucionet, me qëllim të sigurohet ngritje e besueshmërisë së qytetarëve në sistem.

Drejtoresha e KSHPK, Biljana Ivanovska në prezantimin e strategjisë, tha se fusha të rrezikshme në të cilat më së shumti zbulohen sjelljet korruptuese janë tek punësimet, procesi i furnizimeve publike, roli i mbikëqyrjes dhe i kontrollit si dhe sjellja e vendimeve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Si arsye për sjelljen korruptuese në këto fusha konstatuam se faktorët më të rrezikshëm janë ndikimet politike, mungesa e integritetit personal dhe institucional, transparenca e pamjaftueshme, mungesa e mosndëshkimit dhe mospërputhjet në legjislacionin juridik”, deklaroi Ivanovska.

Ajo shtoi se me realizimin e qëllimeve dhe masave nga strategjia, duhet të sigurohet ngritja e besimit tek qytetarët në institucionet e sistemit, efikasitetin në përdorimin e burimeve publike dhe përforcimin e demokracisë dhe vlerave shoqërore.

Strategjia, theksoi ajo, parashikon gjithashtu përfshirjen e shoqërisë civile dhe mediave në luftën kundër korrupsionit në shoqëri, si dhe ngritjen e ndërgjegjësimit të vetëdijes publike dhe zbatimin e edukimit për antikorrupsion.

“Për të zbatuar me sukses strategjinë është e nevojshme të sigurohen burimet e nevojshme si parakusht për arritjen e qëllimeve strategjike. Komisioni ynë është përgjegjës për monitorimin e zbatimit të masave dhe aktiviteteve të strategjisë si dhe përgatitjen e raporteve vjetore deri tek Kuvendi”, deklaroi Ivanovska.

Strategjia Kombëtare do të prezantohet zyrtarisht sot në Kuvend, e cila më pastaj duhet të miratohet. Në përpunimin e Strategjisë kanë qenë të përfshirë përfaqësues nga disa institucione, sektori privat, media, organizata të shoqërisë civile, ekspertë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare përkatëse./Telegrafi/