Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) në seancën e sotme ka propozuar që kryetari i Komunës së Sarajit Blerim Bexheti, të përgjigjet penalisht për shkak të mos veprimit për kërkesat për legalizimin e ndërtimeve të egra në Matkë, ndërsa Qeveria t’ia marrë kompetencat ndërtimore komunës.
Komisioni ka vërtetuar se platformat në Matkë nuk mund të legalizohen, pasi janë objekte me karakter të përkohshëm, ndërsa përkrah kësaj pas kërkesave të dorëzuara për legalizim, ka munguar pajtueshmëri në mes organeve kompetente, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Janë dorëzuar dy kërkesa për legalizim të 8.2 nga Amet Saiti dhe Xhemal Saiti. Kemi konstatuar se kryetari nuk është përgjigjur për kërkesat, edhe pse komuna është ajo që jep leje për ndërtime të karakterit lokal. Kryetari është kompetent të vendos. Me mosveprimin e tij, janë shkelur rregullat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale”, tha Biljana Ivanovksa, kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Komisioni ka konstatuar se sipas raportit të Inspektoratit Shtetëror, pa pëlqimin për menaxhimin me ujin, nuk mund të ndërtohet në atë lokacion./Telegrafi/