Site icon Telegrafi

Krzysztof Zanussi: Punoj, sepse nuk di të bëj gjë tjetër!

Kineasti i njohur polak, Krzysztof Zanussi, njëkohësisht një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm të këtij arti, ishte në ditët e fundit në Tiranë. Ashtu si ndodh rëndom, personazhe të tilla vinë dhe largohen dhe publiku shqiptar nuk e di fare, e merr vesh shumë vonë ose është krejt indiferent. Mungesa e lajmërimeve të duhura, relativizimi i gjithçkaje dhe sidomos mungesa e hierarkisë së vlerave bëri që një nga kineastët, që mund të rrëfente shumë të largohej sikur nuk kish qenë fare. Gjithsesi, katër filma të trashëgimisë së tij të gjatë u shfaqën për publikun shqiptar. Mes tyre një nga prodhimet më të jashtëzakonshme me karakter filozofik-teologjik kushtuar Kolbes, priftit polak që dha jetën në vend të një dënuari në Aushwitz. Në këtë film, që u shfaq edhe në ditët e Zanussit në Tiranë, ai na rrëfeu një nga parabolat më të jashtëzakonshme me dogmën fetare dhe solli edhe në kryeqytet debatin teologjik nëse një veprim human i një kleriku mund ta përcillte atë në shenjtërim apo jo.

Filmi kushtuar Maximilian Kolbes ishte jo thjesht një qasje unike për priftin françeskan, por edhe një model pasqyrimi i kësaj tematike të vështirë, sidomos në një vend si Polonia. Në një farë mënyre autori na zbërtheu me shumë saktësi në këtë film të titulluar “Jeta për Jetën”, domethënien e kultit të shenjtorëve, por edhe natyrën e vetë hagiografisë në ditët tona. Me mjete të kursyera ai na rrëfeu sesi shenjtorët e vërtetë mund dhe duhet të na frymëzojnë, nëse jemi të hapur për ta, ose se si ne mund të pengohemi në perceptimin tonë për ta. Dhe epigrami kuptimor, i cili del në film dhe që inspirohet nga fjalët e Krishtit “Dashuria më e madhe nuk ka njeri se sa të japë jetën e tij për vëllain e tij”, zbërthen këndshëm një kuptim të thellë.

E veçantë është edhe jeta e këtij personazhi me të cilën ndamë një bashkëbisedim interesant në shkollën “Marubi”, ku edhe u zhvillua aktiviteti kushtuar Zanussit. Zanussi me klasin e tij human dhe artistik, por edhe konceptet e gjëra ishte një personazh tejet i këndshëm për një intervistë, që e pëlqente gjithnjë ta konsumonte ballë për ballë.

Refuzuam ta pyesnim vetëm për pretendimin e Institutit të Përkujtimit Kombëtar (IPN) polak, i cili mendon se që nga viti 1962 deri në vitin 1964, Zanussi ka qenë i regjistruar në shërbimin e fshehtë polak me pseudonimin “Aktor”. Në dokumente thuhet se ai ka pasur biseda me oficerë të shërbimit sekret komunist, por kurrë nuk arriti të veprojë si bashkëpunëtor i fshehtë. Dhe, fakti që në Poloni gjithçka është fashitur e lehtëson autorin, mbajtës të Çmimit të Kanës, president nderi të disa festivaleve ndërkombëtare etj.

Biseda jonë filloi me filmin ku ai parashtroi elementë teknikë të realizimit dhe gjetjes së personazheve, por më shumë fabulës së veprës.

“Tema e Kolbes më ka intriguar jo thjesht në aspektin hagiografik, por edhe interpretimi që u bë në kohën e pas luftës me procesin e shenjtërimit si edhe mënyrën sesi perceptohej. Mu desh të punoja shumë, por edhe të pyesja dhe bashkë me stafin tim të arrinim në këtë zgjidhje”. Por, vetë autori që foli edhe para shfaqjes arriti të rrëfejë shumë më tepër për profilin e punës së tij, mënyrën dhe shumë gjëra të tjera. Ndërkohë, iu qasëm për tema të rëndësishme më shumë të karakterit filozofik, pasi autori në çdo moment paraqiste jo thjesht koncepte të qarta, por edhe tejet të sakta.

A keni pasur ndonjë ndikim nga vdekja në krijimtarinë tuaj?

“E gjithë jeta është një përpjekje për t’u shmangur nga verdikti suprem. Në një moshë të caktuar e kupton se udha drejt saj është shumë më e afërt dhe njeriu ka mekanizmat e tij, që e bën kapërcimin e tmerrit në forma të ndryshme. Gjithsesi tmerri i saj mbetet. Në artin tim tema e vdekjes është prezentë dhe në film mund ta shikoni qartë nëse do të abstragoni si duhet”, na drejtohet.

Gjithsesi, jeta vazhdon të jetë e bukur dhe e këndshme. Dhe, në elementë të ndryshëm sidomos në filmat tuaj e shijon të gjithë nektarin e jetës. Si është një qenie përballë jetës?

“Duket të keni parasysh se jeta në brezat që po jetojmë është shumë më e mirë sesa dekada të shkuara. Civilizimi Perëndimor sidomos ai Evropian ka shkuar në lartësi të tillë ku siguria e jetës dhe shumë elementë të tjerë e kanë lehtësuar jashtëzakonisht individin. Dhe, dikur kjo nuk mendohej. Tashti është kënaqësi ta shijosh jetën, por edhe një lehtësi e jashtëzakonshme sepse je krejt i sigurtë, ndaj të mbetet thjesht të punosh për konceptet e larta që të jenë sa më gjerësisht të prekshme”.

Dhe çfarë ndjeni me kalimin e viteve…?

“Mua më pëlqen jeta ime. Jam ende i fortë, megjithëse mosha bën punën e saj. Bota, thjesht në atë si jetojmë, vetëm sa më jep ndjesi të mira. Gjithashtu mendoj se dëshira ime për një jetë më të mirë vjen edhe nga një dëshirë e madhe për një jetë sa më të mirë, për njerëz me të cilët mund të bisedoj më qartë. Jo, thjesht, në kuptimin për ta bërë jetën të shëndoshë edhe shumë romantike, por gjithmonë jam i kënaqur kur shoh një qenie që e konsideroj si të bukur njerëzore – në kuptimin tim dikë që vepron bukur. Kjo më jep një impuls të vazhdueshëm për të qenë i pranishëm në dialogun me njerëzimin. Unë kam kohë që kam pasur një situatë të qëndrueshme – materialisht, fizikisht, si edhe në aspektin e familjes. Edhe pse jam pak i vjetër, unë ende dua të bëj filma dhe punë në skenë”.

A ju vret pak përdorimi i teknikës?

“Jo, unë kam fatin që kam jetuar në kohën e Pasolinit, Felinit, Kubrikut e pak të tjerëve, njerëzve që në mesin e shekullit të shkuar dhe dekadat më pas kanë bërë revolucionet më të mëdha teknike. Teknikat e reja e kanë ndihur, por nuk mund të thuhet se kanë sjellë gjëra të jashtëzakonshme… Jam i kënaqur me këto zhvillime klasike që përmenda”.

Ka një tendencë të jashtëzakonshme, për të përballur tema të vështira tek ju, a keni frikë nga vdekja?

“Jo ka një kuptim relativ, porse në punën time reflektohet sepse ne krijojmë që t’i shpëtojmë kësaj të keqe aspak të vogël. Ndaj punoj dhe punoj pa reshtur. Sa herë që më pyesin se pse punoj kaq shumë, them: “Sepse nuk kam asgjë më të mirë për të bërë”. Puna është një bekim i vërtetë… Vetëm kohët e fundit ka pasur boshllëqe më të gjata midis filmave të mi, kryesisht për shkak se kam punuar shumë në teatër dhe unë kam pasur një kohë të vështirë marrjen e fondeve për filmat e mia të fundit…. Jam duke u përpjekur të përfitoj nga fakti se unë jam ende gjallë, se unë ende po lëviz dhe kam një shëndet relativisht të mirë – një avantazh gjenetik që kam marrë nga paraardhësit e mi”.

A ka pak si shumë tepër religjion tek ju?

“Po është e vërtetë. Por, një lloj kureshtje individuale është ajo pyetja që Dostojevski e paraqiti në letërsinë e tij para një shekulli, duke thënë se kjo është pyetja e vetme që e shqetëson njerëzimin: A ekziston apo jo Perëndia? A ka ndonjë inteligjencë tjetër përveç asaj tonës? Dhe pastaj, nëse ka pavdekësi, a është përtej kohës dhe hapësirës apo është në një kohë dhe hapësirë tjetër? Nga ana tjetër, të gjitha fetë kanë një intuitë të paqartë rreth hyjnisë supreme, ndaj providenca duhet të ketë një dimension tjetër sesa ai i përvojës sonë të jetës, kështu që nuk dimë se si ta vendosim atë në fjalë. Ne kemi shembuj nga realiteti ynë dhe disa përafrime. Gjithsesi, tani, një perspektivë e re është hapur. Botët paralele mund të jenë diçka reale”.

Exit mobile version