Telegrafi

Kryeziu tregon si u bënë dhjetra shkelje në Ndërmarrjen Banesore në Prishtinë

Kryeshefi i Ndërmarrjes Publike Banesore në Prishtinë, Nexhat Kryeziu, në emisionin “Puls” të KTV-së, ka folur për keqmenaxhim e shumë keqpërdorime me asetet e kësaj ndërmarrje.

Është kujtuar aty se rreth 20 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të ndërmarrjes publike banesore janë duke u hetuar nga policia dhe prokuroria për keqpërdorime të ndryshme, prokurim, kthim mjeteve, vjedhje në këtë institucion dhe firma private.

“Policia na ka vizituar shpesh dhe janë duke u hetuar intensivisht. Mendoj se kjo ndërmarrje disponon me shumë lokale dhe tokë por është zhdukur dokumentacioni qëllimisht dhe besoj do e gjejmë shumë shpejt nga institucionet tjera”, ka thënë Kryeziu, që teksa ka folur për menaxhmentin e kaluar, ka thënë se ka qenë katastrofik.

“Tërë këto vite në këtë ndërmarrje ka pasur nepotizëm, ka familjarë, miq të politikanëve, ish-kryetarë të komunave dhe njerëzve të fortë siç quhen në publikë”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu ka folur edhe për atë se si 53 lokaleve të kësaj ndërmarrjeje publike i është ndalë faturimi nga menaxhmeti i kaluar.

“Këtë nuk ka pasur të drejtë të bëhet kurrsesi”, ka thënë Kryeziu.

“Merre me mend, menaxhmentet kanë bërë kthim të paligjshëm të investimeve nga kjo ndërmarrje, e po ashtu edhe shitja e aseteve apo lokaleve të kësaj ndërmarrje nuk është bërë në mënyrë transparente. Kam themeluar një komision dhe po ashtu është duke u hetuar edhe kjo çështje”, ka thënë më tej ai.

Sipas Kryeziut, kjo ndërmarrje shpesh ka shkelur edhe procedurat e prokurimit, duke bërë blerje pa i përfill procedurat e prokurimit, dhe ka thënë se për këtë janë duke u kryer hetime.

“Ja një rast, kur është bërë regjistrimi kanë munguar 15 mijë litra naftë. Kanë humbur”, ka thënë Kryeziu.

Kryeziu ka thënë se “llogaria e kësaj ndërmarrje për pak është zbrazur nga matrapazë që kanë lidhje të shumëfishta në sistemin tonë në të gjitha institucionet, përfshirë edhe sistemin politik dhe gjyqësor”.

“Krejt këto dyshime për keqpërdorime i kam informuar prokurorinë dhe policinë”, ka thënë Kryeziu.