Telegrafi

Kryeziu: Jemi skuadër e talentuar, tani duhet të funksionojmë si grup

Përfaqësuesja e Kosovës po kryen përgatitjet e fundit para ndeshjes me Madagaskarin.

Njëri nga futbollistët më të mirë të Kosovës, Hekuran Kryeziu ka folur për Supersport për trajnerin e ri të Kosovës.

Numri gjashtë i ‘Dardanëve’, ka thënë se nuk e ka pasur problem me gjuhen as me trajnerin e parë as tani.

“Edhe me trajnerin e parë te Kosova, nuk kam pasur probleme me gjuhën. Challandes flet tri gjuhë dhe shpresoj të mësojë edhe shqipen pak. Nuk kam bashkëpunuar me të, por e kam njohur si kundërshtar në Superligën e Zvicrës”, deklaroi Kryeziu.

Sipas anëtarit të Luzernit mbetet të shihet me kohë nëse Challandes është trajneri i duhur.

“Ajo do të shihet në vijim, por besoj që ka sjellë tashmë idetë e tij. Është njeri shumë emocionues dhe ndoshta mund të ‘ndezë zjarrin’ te Përfaqësuesja jonë. E dimë që kemi shumë talent dhe potencial, por kryesorja është të funksionojmë si grup, pasi në të kundërt do të kalojmë kohë të vështira”.

Krejt në fund mesfushori qendror tha se qëllimi i trajnerit të ri është stabilizimi i mbrojtjes.

“Stabilizimi i mbrojtjes është objektivi kryesor i tij. Challandes ka analizuar me detaje gabimet tona gjatë eliminatoreve të Botërorit dhe po punojmë pikërisht për t’i ndrequr ato”, u shpreh Kryeziu.