Hekuran Kryeziu ka folur pas fitores së Kosovës ndaj Lituanisë, teksa ka deklaruar se ndihet i kënaqur.
Përfaqësuesja e Kosovës ka fituar me rezultat të thellë 4-0 ndaj Lituanisë në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.
Golat në këtë përballje për Dardanët u shënuan nga Arbër Zeneli (27’, 71’), Vedat Muriqi (63’) dhe Besar Halimi (79’).
Fitorja ndaj Lituanisë e ka kënaqur edhe mesfushori Kryeziu, i cili kthehet pas një kohe të gjatë të luajë me fanellën e Dardanëve.
“Fitorja ishte shumë e rëndësishme, ka pasur rëndësi dhe jemi të lumtur që kemi fituar me rezultat shumë pozitiv sepse 2020 ka qenë vit i vështirë për ne dhe e dimë se kemi lojë të fortë për kualifikime”, ka thënë fillimisht Kryeziu pas ndeshjes.
“Grupi është i vështirë, i kemi disa kundërshtar që i kemi pasur në kualifikime të kaluara, por ne kemi vendosur që të përparojmë dhe të përmirësohemi”.
“Nuk ka qenë siç kemi dashur ne, kemi më shumë aftësi, grupi është i vështirë, por nëse startojmë si sot, do të kemi disa raste dhe të provojmë të nxjerrim maksimumin”, përfundoi mesfushori i Kosovës. /Telegrafi/