Site icon Telegrafi

Kryeziu e Shala triumfojnë në garën “Gjilani 214”

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, mbështetur nga Federata e Atletikës së Kosovës dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan të dielën është mbajtur gara ndërkombëtare e atletikës në vrapim për meshkuj dhe femra “Gjilani 2014”.

Gara është organizuar në këto kategori: për senior/e – 11300 metra, junior/e – 4300 metra, pionier/e – 2000 metra, veteranë/e – 4300 metra, me pjesëmarrës nga Komuna të ndryshme të Kosovës, nga Shqipëria dhe nga Mali i Zi.

Me këtë rast para fillimit të garës të pranishmit në emër të kryetarit të Komunës i ka përshëndetur u.d. i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bujar Haziri, i cili ka thënë se “kjo garë tashmë tradicionale është e rëndësishme për vet faktin e saj që ka karakter sportiv dhe garues, por edhe për shkak të pranverës studentore të vitit 1981, kur rinia ishte ajo që mori iniciativën që më vonë u bë simbol i lirisë së vendit”.

Ndërsa garën e ka shpallur të hapur kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës (FAK), Halil Sylejmani, i cili në fjalën e tij të rastit ka thënë se “me këtë garë sportive në atletikë përkujtohet pranvera studentore e ’81-shit”.

Garën për vendin e parë në pioniere e ka zënë Laura Hyseni, ndërsa në konkurrencën e meshkujve vendin e parë në këtë kategori e ka zënë Besnik Dubovci që vjen nga klubi atletik “Trepça 89”.

Në kategorinë e veteraneve ishte vetëm një garuese Valdete Ahmeti, që vinte nga klubi atletik i Mitrovicës, ndërsa vendin e parë në kategorinë e veteranëve e zuri Zymer Alaj, nga Klubi Atletik “Juniku” – Junik.

Në konkurrencën e juniorëve vajza që ka zënë vendin e parë ishte Donika Bujupaj, që vinte nga Klubi Atletik “Olimpi” – Istog, ndërsa në konkurrencën e meshkujve vendin e parë e ka zënë Granit Kryeziu që vinte nga Klubi Atletik “Rogana” – Roganë.

Në konkurrencën e seniorëve, vajza që zuri vendin e parë ishte Luljeta Shala, vinte nga Klubi Atletik “Llapi” – Podujevë, ndërsa në konkurrencën e meshkujve në këtë kategori që vendin e parë e ka zënë Suad Kryeziu që vinte nga Klubi Atletik “Rogana” – Roganë.

Në fund ta garës me mirënjohje janë nderuar: Federata e Atletikës nga Shqipëria, Klubi i Vrapimit “Hapi i Parë” nga Mali i Zi, ansambli i këngëve dhe valleve “Agim Ramadani”, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, Policia e Kosovës dhe ish-eprori i FSK-së, Shemsi Syla. /KP/Telegrafi/ 

Exit mobile version