Njëri nga mesfushorët më të talentuar kosovar, Hekuran Kryeziu ka kaluar lëndimin dhe po luan rregullisht me Luzernin.
Anëtari i Përfaqësueses së Kosovës me padurim po pret lajmin për pranimin e Kosovës me të drejta të plota në UEFA.
Në një prononcim të shkurtër për Telegrafin, Kryeziu ka thënë se është duke ndenjur gjithnjë në kontakt me trajnerin dhe zyrtarët e FFK-së rreth njoftimeve nga Budapesti.
“Jam duke qëndruar në ethe dhe duke pritur lajmin rreth pranimit të Kosovës në UEFA”.
“Është një ditë e madhe për gjithë vendin tonë. Pranimi duhej të kishte ndodhur edhe ma herët mirëpo ne jemi të gatshëm edhe tani të jemi të barabartë me të gjitha vendet tjera të Evropës”, shprehet Kryeziu për Telegrafin.
Tutje mesfushori 22-vjeçar ka shtuar se Kosovës i duhet më shumë se kurrë përkrahje nga tifozët e saj.
“Ne kemi filluar një rrugë të gjatë dhe synojmë të kemi suksese. Na duhet përkrahja nga tifozët tanë dhe nga gjithë bashkëvendësit”.
“Jam i bindur se do të kemi suksese në të ardhmen, do të luajmë për gjyshërit tanë, do të luajmë për ta përfaqësuar denjësisht Kosovën në Botë”, deklaroi Kryeziu. /Telegrafi/