Site icon Telegrafi

Kryeziu: Dërgimi i Draft-statutit në Kushtetuese, nuk nënkupton formimin e Asociacionit

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje ndaj Kosovës që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Këto thirrje janë përsëritur edhe nga Komisioneri Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që ta dërgojnë në Kushtetuese Draft-statutin evropian të Asociacionit.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk e ka pranuar ende një kërkesë të tillë dhe e sheh me skepticizëm një vendim eventual të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë draft-statut.

Sipas ish-gjyqtarit të Kushtetueses, Kadri Kryeziu, Qeveria nuk duhet të jetë skeptike ndaj Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo nuk merr vendime politike.

 “Asnjë vendim Gjykata Kushtetuese nuk e ka marrë subjektiv apo të anshëm. Sepse aty janë 9 gjyqtarë profesionalë, që e njohin punën. Dhe nuk ka shanse edhe po të dojë njeri pre tyre të bëjë diçka, nuk ka shanse të merr vendim të anshëm”, ka thënë Kryeziu në “FIVE” të RTV Dukagjinit.

Kryeziu ka shtuar se dërgimi i Draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese nuk nënkupton themelimin e Asociacionit, teksa ka shtuar dërgimi në Kushtetuese është një obligim ndërkombëtar që është i pranueshëm nga institucionet kosovare dhe se duhet bërë hapi procedural për ta dekretuar atë dhe më pas ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

“Sa i përket dërgimit të projektstatuti në Gjykatën Kushtetuese është obligim ndërkombëtar, që është i pranueshëm nga institucionet tona, vetëm duhet bërë hapin procedural. Qeveri e Kosovës ta dekretojë si të tille dhe pastaj të shkoj në Kushtetuese. Dhe Gjykata Kushtetuese është njëra prej pushteteve, pushteti gjyqësor i cili është i barabartë më atë ekzekutiv. Nuk duhet të ketë hezitime ose frikë se po ndodh diçka për këtë arsye. sepse edhe ata kanë përgjegjësi sikurse ka përgjegjësi kryeministri edhe kryetari i gjykatës ka përgjegjësi edhe kombëtare edhe profesionale”.

“Unë gjithmonë kam apeluar se duhet ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese, nuk nënkupton dërgimi i draft-statutit në Kushtetuese, formohet Asociacioni. Gjykata Kushtetuese duhet ta trajtojë një vit apo dy. Gjykata Kushtetuese e ka edhe një vendim, i cili ka konstatuar që Asociacioni mund të formohet në bazë të marrëveshjes 2013. Kështu që për gjyqtarët është shumë e lehtë të përpunohet kjo materiale e përsëritur”, ka shtuar Kryeziu. /Dukagjini/

Exit mobile version