Ish i burgosuri politik, Kadri Kryeziu njëherësh ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka treguar se pjesëtari i UDB-së, Asllan Sllamniku ka qenë njeriu më i besueshëm i Serbisë.
Kryeziu, i arrestuar nën dyshimin si organizator i demonstratave të studentëve të vitit 1981 ka thënë se Sllamniku ishte i deleguar nga Federata Jugosllave.
“Asllan Sllamniku, ka qenë i deleguar nga Federata Jugosllave, njeri më i besueshëm i Serbisë. Ka pasë disa që nuk kanë qenë shumë të besueshëm, ju vike gjynah, gardianët kanë pasë ndjesi tjetër, kanë qenë më të kujdesshëm ndaj nesh”, ka deklaruar Kryeziu në emisionin “Debat Plus” .
Teksa nuk i ka arsyetuar torturat dhe maltretimin që u kanë bërë udbashët në atë kohë, Kryeziu ka thënë se ndonëse rrahja ka qenë individuale metoda ka qenë e njëjtë nga të gjithë.
“Ne kemi atë ndjenjën e mirësisë, prej moshës 19-vjeçare, kemi ndjenjën e faljes, se ata nuk kanë qenë të vetëdijshëm çfarë kanë bërë. Kosova është e vogël, interesi ka qenë i jashtëzakonshëm, se liria u ka konvenu edhe atyre por kanë qenë të frymëzuar në atë drejtim, veprime që nuk i kanë pas të përcaktume me ligj, ata e kanë shfrytëzuar se kanë qenë të frymëzuar të tillë, rrahja ka qenë individuale, metoda ka qenë e njëjtë”, ka vijuar Kryeziu.