Kryebashkiaku i qytetit të Zagrebit, Milan Bandiç, në një intervistë për Telegrafin ka konfirmuar përpjekjet politike dhe diplomatike të Kroacisë për të ndihmuar Kosovën e po ashtu edhe Shqipërinë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, pikërisht kur Kroacia merr presidencën e Bashkimit Evropian, vitin e ardhshëm, duke e bërë Zagrebin kryeqytetin e dytë të BE-së për 6 muaj.
“Nuk ka dyshim se do të bëjmë përpjekjet e tona politike dhe diplomatike për të ndihmuar Kosovën dhe Shqipërinë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Aderimi në BE kërkon shumë reforma dhe rregullime. Ne të gjithë jemi të gatshëm të ndihmojmë duke shkëmbyer përvojat dhe njohuritë tona”, tha Bandiç.
Sa i përket bashkëpunimit me komunitetin shqiptar, pasi që një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova jetojnë në këtë vend, Bandiç tha se Zagrebi është shtëpi për njerëz me identitete të ndryshme etnike, kulturore dhe fetare, të cilët japin një kontribut të veçantë në bollëkun dhe larminë e jetës së qytetit.
“Midis tyre, komuniteti pakicë shqiptar ka një vend dhe rol të veçantë. Kosovarët e Zagrebit kanë qenë një pjesë e identitetit të qytetit tonë për dekada dhe e kanë pasuruar Zagrebin. Politika e Zagrebit është të kontribuojë në ruajtjen e identitetit të komuniteteve tona të pakicave. Sipas regjistrimit të vitit 2011, kishte 4,292 shqiptarë që jetonin në Zagreb”, tha ai në intervistë për Telegrafin.
Ai përmendi edhe punën shumë aktive të deputetes së vetme shqiptare në parlamentin e Kroacisë znj. Ermina Lekaj-Përlaskaj, ku sipas tij, gjuha dhe arsimi janë fusha thelbësore dhe, për rrjedhojë, jashtëzakonisht të rëndësishme.
Ai theksoi se znj. Lekaj Përlaskaj e ka kuptuar këtë, duke u përfshi në mënyrë aktive në shumë aktivitete dhe iniciativa duke rezultuar me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit , dhe prandaj të gjithë ne jemi mirënjohës për punën e saj.
Pasi që nga Kosova në Kroaci kanë shkruar një numër i madh i punëtorëve me kontrata pune, kryebashkiaku i Zagrebit, Bandiç tha se mungesa e punës mund të ndihet veçanërisht në sektorin e turizmit, pasi Kroacia është destinacioni kryesor turistik ku numri i hoteleve dhe institucioneve hotelierike, dhe ofertat turistike në përgjithësi, po zgjerohen çdo ditë.
“Kjo është arsyeja pse punonjësit me cilësi, me përvojë dhe energji janë të mirëseardhur. Kroacia ka paga shumë më të larta se fqinjët tanë lindorë dhe jugorë, gjë që e bën atë tërheqëse sa i përket punësimit të përkohshëm, por edhe sa i përket emigracionit”, tha Bandiç.
Telegrafi: Qyteti i Zagrebit, njihet jo vetëm si kryqëzimi i Evropës qendrore, por edhe si një qytet turistik. Na tregoni pak se cilat janë arsyet për ta vizituar Zagrebin?
Milan Bandiç: Zagrebi është një qytet i zhvilluar modern evropian, i cili ka arritur të ruajë trashëgiminë e tij të pasur kulturore dhe arkitektonike, si dhe ngrohtësinë dhe intimitetin e një qyteti, ku njerëzit mund të ndjehen si pjesë e komunitetit dhe jo të tjetërsuar. Jemi krenarë t’u tregojmë mysafirëve tanë 900 vjet histori, traditë dhe kulturë të pasur, të ndërthurura me stilin e jetës moderne. Zagrebi është i hapur për mysafirët e tij, si një metropol i Evropës Qendrore me një prekje të Mesdheut, duke krijuar një lidhje të përhershme midis tyre dhe shesheve të tij, rrugëve, restoranteve dhe njerëzve. Nuk është e rrallë që diplomatët ose njerëzit e afarizmit që kanë punuar përkohësisht në Zagreb, pasi ta përfundojnë afatin e tyre zgjedhin prapë qytetin tonë si vendbanimin e tyre të përhershëm, ose ta vizitojnë atë rregullisht për të përjetuar frymën e kohërave të kaluara, të shkrira me ‘joie de vivre’.
Zagrebi është një qytet i ndërtuar për njerëzit. Ju mund të vizitoni të gjitha pjesët e tij në këmbë, të njihni shumicën e qytetarëve të tij, të kaloni orë të tëra duke shijuar diellin në tarracat e tij, dhe gjithashtu të humbni ose të bëheni të padukshëm në nxitimin e një metropoli. Zagrebi krenohet me parqet e tij të lulëzuara, ndërtesat që ruajnë historinë, sheshet e gjalla, pemët e rrugëve të vjetra dhe rrugët. Ne i mirëmbajmë dhe i rinovojmë me dashuri të gjitha këto, në mënyrë që t’i tregojmë me kënaqësi para miqve tanë të cilët janë të mirëpritur gjithmonë.
Historia e qytetit, arkitektura, njerëzit dhe zakonet e qytetit janë të gjitha pjesë e qytetit. Në Zagreb, mund të përjetohet me të vërtetë fryma e Evropës Qendrore, por edhe atmosfera e qetë e Mesdheut. Ballkani, gjithashtu ka lënë një shenjë në Zagreb, dhe kjo nuk është diçka nga e cila duhet të fshihemi. Zagrebi, është një udhëkryq – është porta për në Evropën Qendrore, por është edhe porta për në Adriatik, në varësi të vendit ku po vjen. Jo shumë qytete mund të ofrojnë një pasuri të tillë aromash dhe ngjyrash të kulturave dhe pjesëve të ndryshme të Evropës.
Telegrafi: Cili është bashkëpunimi I komunës së Zagrebit me atë të Prishtinës, konkretisht keni ndonjë projekt të përbashkët?
Milan Bandiç: Zagrebi dhe Prishtina kanë një histori të gjatë të marrëdhënieve të mira, dhe ka aq shumë të tilla që lidhin qytetet tona, një gjë gjithashtu e vërtetë për Kroacinë dhe Kosovën. Bashkëpunimi ynë u zyrtarizua në 28 mars të vitit 2012, kur firmosa Marrëveshjen për Bashkëpunim, ndërmjet Qytetit të Zagrebit dhe Prishtinës me kryetarin e Prishtinës z. Isa Mustafa. Që nga atëherë, kemi patur takime të shumta midis përfaqësuesve të qytetit të Zagrebit dhe Prishtinës. Për më tepër, me qëllim të bashkëpunimit më të ngushtë midis bizneseve dhe dy qyteteve, në mars të viti 2014 pas Forumit të Parë të Biznesit Zagreb-Prishtinë të organizuar nga Klubi Kosovar-Kroat i Biznesit dhe Qyteti i Prishtinës, unë drejtova delegacionin e qytetit të Zagrebit.
Ndjeshmëria e kryeqytetit të Republikës së Kroacisë, ndaj qyteteve të rajonit dhe më gjerë, është e padiskutueshme, ku një ekip ekspertësh nga Prishtina kanë ardhur në Zagreb shumë herë për përvojë të vlefshme në fushat vijuese: menaxhimin e ujit dhe mbeturinave, planifikimin urban, infrastrukturën, hartimin e studime dhe plane, menaxhimi i ndriçimit të qytetit dhe përdorimi ekonomik i energjisë, planifikimi i zonave ekologjike përreth qytetit dhe zonave të gjelbra, zhvillimi i modelit të sistemit të integruar të transportit urban, strukturës dhe organizimit të ndërmarrjeve publike, përvojave në menaxhimin e kujdesit shëndetësor publik, dhe po ashtu është diskutuar edhe për projektet e transportit publik.
Bashkëpunimi ynë gjithashtu inkurajohet gjithmonë me kënaqësi përmes shkëmbimit dhe takimit të brezave të rinj. Në prill të viti 2017, unë takova fëmijë nga Janjeva në Bashkinë tonë gjatë vizitës së tyre në Zagreb. Fëmijët vizituan kopshtin zoologjik, Muzeun Teknik ‘Nikolla Tesla’, Muzeu ‘Dra Den Petrović’, Sljeme, e po ashtu morën një turne turistik nëpër qytet dhe shkuan për të parë një shfaqje në teatrin ‘Exit’. Në maj të vitit 2015, kori i fëmijëve të Zagrebit “Klinci s Ribnjaka” performoi në Teatrin Kombëtar të Prishtinës, duke shënuar 30 vjetorin e themelimit të tij, në kuadër të serive të koncerteve “Fëmijët e Kroacisë ndaj Fëmijëve të Evropës”.
Telegrafi: Cili është bashkëpunimi juaj me komunitetin shqiptar, pasi që një numër i madh i shqiptarëve nga Kosova jetojnë në këtë vend, dhe të cilët kanë arritur suksese të mëdha jo vetëm në biznes, por edhe në aspekte tjera?
Milan Bandiç: Siç e kam theksuar, Zagrebi ynë është shtëpi për njerëz me identitete të ndryshme etnike, kulturore dhe fetare, të cilët japin një kontribut të veçantë në bollëkun dhe larminë e jetës së qytetit. Midis tyre, komuniteti pakicë shqiptar ka një vend dhe rol të veçantë. Kosovarët e Zagrebit kanë qenë një pjesë e identitetit të qytetit tonë për dekada dhe e kanë pasuruar Zagrebin. Politika e Zagrebit është të kontribuojë në ruajtjen e identitetit të komuniteteve tona të pakicave. Organizatat e rreth 20 pakicave kombëtare janë aktive në qytet. Nuk më pëlqen t’i quaj pakica, por preferoj të them “bashkësi”, pasi termi “pakicë” sugjeron se ato janë disi më pak të rëndësishme. Ajo që mund të them si kryetar i Bashkisë është se bashkëpunimi midis qytetit të Zagrebit dhe këtyre komuniteteve është i shkëlqyeshëm.
Ne jemi të udhëhequr nga ideali i integrimit të plotë, që nuk do të thotë asimilim. Ata janë pjesë integrale e shoqërisë sonë, dhe marrin pjesë në të gjitha proceset përkatëse shoqërore, por po ashtu, ata gjithashtu ruajnë identitetin dhe veçantitë e tyre. Ata janë një urë drejt vendeve të origjinës së tyre, e cila ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Prandaj, kujdesi për pakicat kombëtare i është besuar Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Drejtave të Njeriut. Një Zagreb multi-kulturor, multietnik dhe multifetar, siç thashë, është një nga projektet e mia më të mëdha në 19 vitet e fundit. Është më mirë të pyesni vetë shqiptarët për pozicionin e tyre në qytetin e Zagrebit, si dhe bashkësitë e tjera kombëtare, në përputhje me Aktin Kushtetues të të Drejtave të Minoriteteve Kombëtare, bazuar në standardet më të larta të së drejtës ndërkombëtare, komuniteti shqiptar zgjedh anëtarët e Këshillit të Pakicës Kombëtare Shqiptare. Sipas Regjistrimit të 2011, kishte 4,292 shqiptarë që jetonin në Zagreb.
Këshilli i Minoriteteve Kombëtare Shqiptare, ka marrë pjesë në jetën publike të qytetit për mandatin e pestë (zgjedhjet e para u mbajtën në vitin 2003) dhe ne mund të theksojmë bashkëpunimin tonë të suksesshëm në një seri aktivitetesh programore, duke zhvilluar më tej marrëdhëniet tona të mira në frymën e tolerancën, respektimin e diversitetit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Për më tepër, qyteti i Zagrebit vazhdon të ndajë burime financiare nga buxheti i qytetit, i cili është i nevojshëm për kryerjen e aktiviteteve të Këshillit. Qyteti i Zagrebit bashkëpunon me shumë sukses me shoqatat e pakicës kombëtare shqiptare, aktivitetet e të cilave promovojnë vlerat kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve.
Qyteti ka siguruar hapësirat për aktivitetet e këshillave, përfaqësuesve dhe shoqatave të pakicave kombëtare. Në dy shkolla fillore (Dr. Ivan Merz dhe Titush Brezovački), nxënësit me prejardhje të pakicave kombëtare shqiptare, mësojnë në gjuhën shqipe (Model C, viti shkollor 2019/2020). Dyert e zyrës sime janë gjithmonë të hapura për të gjitha iniciativat, idetë dhe sugjerimet e tyre.
Telegrafi: Pas një punë të madhe të deputetes shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, znj. Ermina Lekaj Përlaskaj ,është hapur Katedra e Gjuhës Shqipe në Zagreb –Albanologjia kurse në Prishtinë është Kroatistika, po ashtu është nënshkruar edhe një memorandum bashkëpunimi mes Kroacisë dhe Kosovës në fushën e arsimit. A mendoni se këto bashkëpunimi na ofrojnë më shumë mes veti?
Milan Bandiç: Sigurisht, kjo u sjell dobi qytetarëve. Bashkëpunimi është kushti ‘sine qua non’ i çdo politike të suksesshme, si në nivelin lokal ashtu edhe më gjerë si në atë kombëtar. Sot në shoqërinë e globalizuar, ku gjërat po ndryshojnë me shpejtësi dhe ku po lulëzon e ashtuquajtura revolucioni i 4-të industrial, do të ishte e paimagjinueshme dhe shkatërruese të mbetesh i mbyllur dhe autarkik.
Gjuha dhe arsimi janë fusha thelbësore dhe, për rrjedhojë, jashtëzakonisht të rëndësishme. Zonja Ermina Lekaj Përlaskaj e ka kuptuar këtë, e që u përfshi në mënyrë aktive, prandaj të gjithë ne jemi mirënjohës për punën e saj. Ne të gjithë jemi më të pasur për shkak të projekteve si këto.
Telegrafi: Nga Kosova në Kroaci kanë shkruar një numër i madh i punëtorëve me kontrata pune. Sa punëtorë kërkon Kroacia momentalisht, dhe cilat janë profesionet që kërkohen më së shumti?
Milan Bandiç: Kur Kroacia u bashkua me Bashkimin Evropian dhe u bë pjesë e tregut të vetëm evropian, një numër i qytetarëve kroatë shkuan për të gjetur punë në vendet e tjera evropiane. Kjo rezultoi në rritjen e nevojave të punësimit në pothuajse të gjitha fushat në Kroaci. Si pasojë, për vitet e fundit ne kemi përjetuar një fluks të punëtorëve nga vendet fqinje si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, etj.
Mungesa e punës mund të ndihet veçanërisht në sektorin e turizmit, pasi Kroacia është destinacioni kryesor turistik ku numri i hoteleve dhe institucioneve hotelierike, dhe ofertat turistike në përgjithësi, po zgjerohen çdo ditë. Kjo është arsyeja pse punonjësit me cilësi, me përvojë dhe energji janë të mirëseardhura. Kroacia ka paga shumë më të larta se fqinjët tanë lindorë dhe jugorë, gjë që e bën atë tërheqëse sa i përket punësimit të përkohshëm, por edhe sa i përket emigracionit.
Telegrafi: Cili është roli i shqiptarëve në Kroaci, në bashkëpunimin Kosovë- Kroaci dhe hapat që janë duke u ndërmarrë për një bashkëpunim më të madh në të ardhmen në mesin e këtyre dy shteteve?
Milan Bandiç: Siç e përmenda më parë, ata janë pjesë e komunitetit tonë, ekonomisë dhe identitetit tonë. Ata, gjithashtu janë një lidhje me vendet e tyre të lindjes – Kosova dhe Shqipëria. Kroacia mban marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe të përgjithshme me të dyja vendet, të cilat ne i konsiderojmë partnerët tanë të mirëfilltë.
Ndërsa, Kroacia merr presidencën e BE-së, vitin e ardhshëm, duke e bërë Zagreb kryeqyteti i dytë i BE-së për 6 muaj, nuk ka dyshim se do të bëjë përpjekjet e saj politike dhe diplomatike për të ndihmuar Shqipërinë dhe Kosovën në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Aderimi në BE kërkon shumë reforma dhe rregullime. Ne të gjithë jemi të gatshëm të ndihmojmë duke shkëmbyer përvojat dhe njohuritë tona. Ia vlen të luftosh për t’u bashkuar me këtë bashkim prestigjioz të vendeve dhe kombeve. Një nga motivet është mbështetja financiare për projektet infrastrukturore, dhe të tjera të rëndësishme që ne po implementojmë në Zagreb dhe Kroaci, pasi qëllimi i Bashkimit Evropian është të zhvillojë të gjitha pjesët e Evropës.
Telegrafi: Ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore presidenciale në Kroaci, ku zgjedhjet presidenciale janë caktuar për 22 dhjetor. Cili është kandidati juaj i preferuar, dhe njëherit si e vlerësoni punën e Presidentes znj. Kolinda Grabar-Kitaroviq?
Milan Bandiç: Presidentja znj. Kolinda Grabar Kitaroviq ka mbështetjen time në këto zgjedhje presidenciale, dhe gjithashtu kjo është përgjigjja më e mirë për të dy pyetjet tuaja! Brenda fuqive të saj, ajo ka përfaqësuar fuqishëm vendin tonë jashtë vendit, ka forcuar pozicionin e Kroacisë në aspektin e punëve të jashtme dhe ndihmoi në forcimin e imazhit të Kroacisë. Ne duhet t’i japim kredi asaj për aftësinë që ka përdorur, dhe po ashtu për aftësitë e saj diplomatike për të përmirësuar pozicionin e Kroacisë brenda Bashkimit Evropian, duke ruajtur me sukses marrëdhënie të shkëlqyera me liderët kryesorë botërorë, dhe duke participuar si e ftuar e shquar në shumë forume dhe iniciativa të mëdha ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, ajo mbante marrëdhënie të hapura dhe të ndershme me fqinjët tanë, dhe punoi për krijimin e lidhjeve dhe bashkëpunimeve të reja. Ndërtimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë është i rëndësishëm, pavarësisht nga ajo që dikush mund të mendojë për disa nga udhëheqësit politikë të vendeve fqinje, dhe kjo është saktësisht e çka ka bërë Presidentja gjatë mandatit të saj. Ajo vendosi marrëdhënie dhe krijoi mundësi për përmirësime sa herë që të jetë e mundur. /Telegrafi/