Komuna e Vushtrrisë tashmë ka filluar punën me kapacitete të plota duke marrë të gjitha masat e nevojshme pas shpalljes së gjendjes emergjente shëndetësore, si pasojë e paraqitjes të coronavirusit COVID-19, në disa qytete të Kosovës.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë për Telegrafin se janë të gatshëm dhe do t’i zbatojnë të gjitha rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkohë që po presin rezultatin e analizave për personin nga Vushtrria i cili dyshohet se është i infektuar me COVID-19.
Tahiri ka thënë se në momentin që është shpallur gjendje emergjente shëndetësore, ata janë duke punuar me kapacitete të plota, dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme edhe nëse do të jetë e nevojshme të karantizohen.
“Do t’i zbatojmë të gjitha rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë, jemi tash në gjendje emergjente shëndetësore, i kemi marrë të gjitha masat dhe Shtabi Emergjent Lokal anti-Covid 19 është duke punu me kapacitete të plota, janë caktu edhe nëse ka nevojë eventualisht për karantinë, është caktu edhe lokacioni”, tha Tahiri.
Shtabi Emergjent Lokal i Komunës së Vushtrrisë sipas Tahirit është duke punuar vazhdimisht në këtë aspekt dhe ngritja e tendave në Qendrat e Mjekësisë Familja kanë filluar.
“Janë duke u ngrit tenda në oborret e Qendrave të Mjeksisë Familjare që të dyshuarit të kontrollohen njëherë në tenda sipas rekomandimit të Ministrishë së Shëndetësisë dhe po ashtu janë marrë të gjitha masat tjera, jemi duke e shfrytëzuar kontratën komunale për furnizim me barëra dhe dezinfektim për të gjitha objektet”, tha Tahiri për Telegrafin.
Tahiri tha se janë duke pritur analizat nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike për personin nga Vushtrria i cili dyshohet se është i infektuar me COVID-19.
Ndryshe, tashmë ka shkuar në 15 numri i të prekurve nga coronavirusi COVID-19 në Kosovë.
Rasti i fundit i cili u konfirmua para rretj një ore, është ai i dy të rinjve nga Kosova që kanë ardhur nga Londra përmes linjës ajrore direkte në Prishtinë.
IKSHPK ka njoftuar se të prekurit janë një qift i fejuar të cilët kanë ardhur sot nga Londra me fluturimin direkt Londër –Prishtinë. Rastet janë me vendqëndrim nga fshati Korishë-Prizren dhe tjetri nga komuna e Obiliqit. Njeri i gjinisë mashkull dhe tjetri rast i gjinisë femër, të dytë të moshës 26 vjeçare. /Telegrafi/