Site icon Telegrafi

Yee shpreh mospajtime për gazin e mollotovin, kërkon zgjidhje politike

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim zëvendës ndihmës sekretarin amerikan, Hoyt Yee, me të cilin diskutoi për të arriturat dhe sfidat e legjislativit.

Kryetari Veseli e informoi z. Yee me ecurinë e agjendës legjislative, zhvillimet e fundit në Kuvend, të arriturat, sfidat, bashkëpunimin e shkëlqyer me autoritet amerikane, si dhe synimet e legjislativit në këtë mandat.

Veseli e falënderoi z. Yee për përkushtimin e vazhdueshëm që ShBA-ja po jep për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit, për zhvillimet në vend, në realizimin e agjendës së integrimeve euro-atlantike por edhe në ato globale, me rëndësi për Republikën e Kosovës.

Yee theksoi se të arriturat e Republikës së Kosovës janë inkurajuese dhe mbështeti lidershipin e z. Veseli për drejtimin e Kuvendit gjatë zhvillimeve të fundit në Kuvend. Ai rikonfirmoi mbështetjen për institucionet demokratike të Republikës së Kosovës, duke theksuar se rëndësia e Parlamentit është parësore në zhvillimet e gjithmbarshme për sundim të ligjit, luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe për bashkëpunimin qeveri-opozitë.

Yee shprehi mospajtime me përdorimin e lotsjellësit në Kuvend dhe koktej mollotovit si mjete për të realizuar qëllimet politike. Ai tha se kjo duhet të përfundojë dhe inkurajoi faktorët vendimmarrës që të gjejnë zgjidhje politike brenda spektrit politik kosovar.

Miqësia e Kosovës me ShBA-në është vlerë e veçantë e Republikës sonë, prandaj, theksoi Z. Veseli, ne fuqishëm do t’i forcojmë këto marrëdhënie dhe shtyjmë tutje në zhvillime të reja.

Exit mobile version