Telegrafi

Veliu ofron përkrahje për fermerët kultivues të aronisë dhe boronicës

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, priti sot në një takim fermerët llapjanë Lum Hoxha dhe Butrint Baholli, kultivues të aronisë dhe boronicës.

Gjatë takimit të sotëm, fermerët Hoxha dhe Baholli e informuan kryetarin Veliu për investimin e bërë në kultivimin e këtyre dy kulturave të pemëve të imta.

Kryetari Veliu i inkurajoi ata që të vazhdojnë me kultivimin e kulturave të pemëtarisë së imtë, duke premtuar përkrahjen e Komunës në krijimin e kushteve infrasrtukturore.

“Rajoni i Llapit tashmë është bërë pikë referente, jo vetëm në Kosovë, për kultivimin e pemtarisë së imtë, veçmas mjedrës, por edhe aronisë dhe boronicës. Me rritjen e sipërfaqeve të mbjella me këto kultura, fermerët llapjanë po krijojnë të hyra dhe po gjenerojnë vende të reja pune”, tha kryetari Veliu.

Fermerët Hoxha dhe Baholli falënderuan kryetarin Veliu për përkrahjen e vazhdueshme për sektorin e bujqësisë përmes subvencionimit të fermerëve.

Këta dy fermerë kanë të mbjella rreth 10 hektarë me aroni dhe boronicë në Herticë dhe Gërdoc, por që synojnë të zgjerojnë sipërfaqet e mbjella me këto kultura profitabile.

Në takimin e sotëm, ku ishte i pranishëm edhe drejtori i Bujqësisë Pylltarisë dh Zhvillim Rural, u tha se në territorin e Komunës së Podujevës aktualisht janë të mbjella rreth 700 hektarë me mjedër dhe dhjetëra hektarë me aroni dhe boronicë. /Telegrafi/